Kryeministri italian, Mario Draghi tha të mërkurën se ndalimi i importeve të gazit nga Rusia nuk po konsiderohet në nivel të BE-së, por nëse arrihet një konsensus për këtë çështje, Italia do të pajtohet me të.
“Një embargo gazi nuk është ende në tryezë dhe nuk e di nëse do të jetë ndonjëherë,” u tha Draghi gazetarëve në një konferencë shtypi.
Ai tha se nëse flukset e gazit nga Moska do të pezulloheshin, Italia kishte ende rezerva për të mbuluar nevojat e saj deri në fund të tetorit.
Italia është shumë e varur nga Rusia për furnizimet e saj me gaz, por Draghi tha se nëse shfaqet një konsensus në nivelin e BE-së për të bllokuar importet e gazit, “ne do të jemi krejtësisht të lumtur ta respektojmë”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.
Vendet e Bashkimit Evropian përveç Hungarisë e kanë kundërshtuar këtë formë të pagesës. /Rel