Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, për herë të parë ka vendosur që të marrë pjesë në një tryezë ku është i pranishëm edhe përfaqësuesi i Republikës së Kosovës.
Megjithatë Spanja ka pasur një kusht, duke kërkuar që në Samitin për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Slloveni të mos ketë simbole shtetërore.
Lidhur me këtë çështje, Sanchez ka folur sot në Samitin e Bërdos, teksa arsyetoi edhe vendimin e tij për të marrë pjesë në këtë samit ku i pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se si shtet duhet të marrë pjesë në çdo organizim e Samit.
Në raportimin e mediave spanjolle theksohet se Sanchez ka thënë se “Spanja duhet të jetë në të gjitha forumet”.
“Është e rëndësishme të jesh në të gjitha forumet. Spanja duhet të jetë në të gjitha forumet”, shtoi ai.
Spanja është një nga shtetet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë.