Kryeministri i sapozgjedhur polak Donald Tusk u zotua të punojë për të siguruar angazhimin e plotë të Perëndimit për Ukrainën dhe për t’i rikthyer Polonisë rolin udhëheqës brenda BE-së. Polakët shprehen të çliruar pas emërimit të kryeministrit të ri dhe për drejtimin që do të marrë vendi pas disa viteve qeverisjeje nga forcat nacionaliste.
Tusk tha të martën se vendi i tij do të kërkojë mobilizimin e plotë të Perëndimit për të ndihmuar Ukrainën, duke shtuar se në këtë mënyrë Polonia do të rifitojë një pozicion udhëheqës në Evropë dhe do të jetë një vend anëtar i fortë i NATO-s, shkruan VOA.
“Kjo luftë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, është një sulm ndaj të gjithë ne. Kam besim tek bashkëpunimi i të gjitha forcave politike këtu. Do të kërkojmë me zë të lartë dhe vendosmëri mobilizimin e plotë të botës së lirë, të botës perëndimore, për ta ndihmuar Ukrainën në këtë luftë. Nuk ka alternativë tjetër”, tha zoti Tusk.
Parlamenti polak mbështeti emërimin e zotit Tusk të hënën, duke i dhënë kështu fund tetë viteve të qeverisjes nga forcat nacionaliste dhe duke e rikthyer vendin drejt riparimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
Tusk u zotua sidoqoftë të kundërshtojë çdo ndryshim të traktateve të BE-së që mund të prekin interesat e Polonisë, si dhe të vendosë një kontroll të rreptë të kufijve të vendit. Në të njëjtën kohë, ai premtoi se Polonia do të jetë një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.