Kryeministri i Malit të Zi në Katedralen e Tivarit, uron Krishtlindjet në gjuhën shqipe

schedule11:51 - 25 Dhjetor, 2020

schedule 11:51 - 25 Dhjetor, 2020

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç dhe ministri i Drejtësisë, Vladimir Leposaviç kanë marrë pjesë në meshën e Krishtlindjes në Katedralen e Tivarit. Ata mbërritën në Meshën e Shenjtë pikërisht në mesnatë ndërsa qytetarët i pritën në hyrje, ku gjatë ceremonisë, kryeministri iu drejtua pjesëmarrësve në gjuhën shqipe.

Kryepeshkopi i Tivarit, ish-famulltari i kishës së Prishtinës, Imzot Rrok Gjonlleshi, i cili shërbeu në Meshën e Shenjtë, e përshëndeti kryeministrin në fillim dhe i uroi mirëseardhje. Ai gjithashtu i dërgoi përshëndetje ministrit të Drejtësisë, kryetarit të Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviç, nënkryetarit Dragan Novakoviç Cakan, kryetarit të Kuvendit Lokal, Milena Bozhoviç dhe kryetarit të Komunës së Tuziz, Nik Gjeloshaj.

Kryepeshkopi e falenderoi Ministrinë e Shëndetësisë për mirëkuptimin dhe për besimin që mundësuan që kjo festë e shenjtë të festohet. Në lutjet e tij, ai përmendi sakrificën e punëtorëve mjekësorë dhe të të gjithë atyre që punojnë për mirëqenien dhe shëndetin e shoqërisë. Ai theksoi rëndësinë e harmonisë, dashurisë dhe paqes në këto kohë të vështira.

Ai tha se kjo Krishtlindje është veçanërisht e përjetuar nga të gjithë sepse viti ishte shumë i vështirë për sa i përket shëndetit, ekonomisë dhe emocioneve. Ai iu drejtua dëgjuesve me “vëllezër dhe motra” sepse, siç tha ai, jo të gjithë në sallë janë besimtarë, por të gjithë janë njerëz, miq dhe familje.

Ceremonia fetare zgjati pak më shumë se një orë dhe disa rituale nuk u mbajtën plotësisht për shkak të situatës shëndetësore. “Unë ju ftoj të përhapni paqen me zemrën tuaj”, u tha Kryepeshkopi të pranishmëve.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!