Kryeministri grek takim me Zoran Zaev në Athinë

schedule19:56 - 13 Maj, 2021

schedule 19:56 - 13 Maj, 2021

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis është takuar këtë të enjte me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në pallatin Maximos në Athinë.

Zaev ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar në Forumin Ekonomik Delphi.

Gjatë këtij takimi, Mitsotakis dhe Zaev vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve duke ripohuar vullnetin e tyre për të shtuar mundësinë e bashkëpunimit, kryesisht në fushën e ekonomisë dhe energjisë.

Ndërkohë sa i përket mbështetjes së vendosur të Greqisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, kryeministri vlerësoi marrëdhëniet e qëndrueshme dhe u shpreh për një zbatim me mirëbesim të Marrëveshjes së Prespës si pjesë e procesit.

“Takimi i sotëm do të na japë mundësinë për të diskutuar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, duke u fokusuar në ekonomi apo energji, ku shumë projekte  janë duke u përgatitur. Sigurisht, do të kemi gjithashtu mundësinë të flasim për zhvillimet në procesin e pranimit të Maqedonisë Veriore, të cilat Greqia i mbështet, siç dihet, gjithmonë bazuar në rregullat dhe kushtet aktuale, në kontekstin e mbështetjes sonë të vendosur për rrugën evropiane”, ka thënë Mitsotakis duke shtuar: “Sigurisht, respekti për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe zbatimi i plotë, i qëndrueshëm dhe me mirëbesim i Marrëveshjes së Prespës – siç kemi diskutuar – mbetet jetësore. Këta janë treguesit kryesorë në marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për perspektivën e anëtarësimit të vendit tuaj në BE. Kështu që unë shpresoj, në një diskutim shumë konstruktiv dhe ju mirëpres përsëri në Athinë”.

Nga ana tjetër Zoran Zaev e ka konsideruar një mundësi të mirë diskutimin për marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin mes vendeve.

“Është një mundësi e shkëlqyer për ne që të diskutojmë për marrëdhëniet e ngushta ekonomike. Është një mundësi e mirë për të folur për përparimin që kemi bërë në sektorin financiar , sepse me të vërtetë kemi ecur përpara. Unë gjithashtu do të doja të diskutoja çështjen e pranimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi ju jeni fqinji ynë kryesor, partneri ynë strategjik”, ka thënë Zaev.

 

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!