Kryeministri grek, manovra në prag të zgjedhjeve

schedule18:43 - 8 Maj, 2019

schedule 18:43 - 8 Maj, 2019

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka miratuar një seri masash lehtësuese në shërbim të shtresave të varfra dhe të mesme. Pasi i ka deklaruar publikisht, Tsipras ka kërkuar në këmbim votën e qytetarëve në proceset e ardhshme zgjedhore.

Më pak se tri javë nga zhvillimi i zgjedhjeve evropiane dhe lokale të 26 majit, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka shpallur një paketë masash lehtësuese, që pritet të favorizojnë shtresat e varfra dhe të mesme të popullsisë. Paketa është e ndarë në dy pjesë.

Një pjesë e masave do të fillojnë menjëherë të zbatohen, ndërsa pjesa tjetër do të implementohet vitin e ardhshëm. Ndër masat e menjëhershme përfshihen reduktimi i koeficientit të TVSH në restorante por dhe në shumicën e artikujve ushqimorë, nga 24% në 13%. Gjithashtu, ulja e ndjeshme e TVSH-së në faturat e energjisë, elektricitet dhe gaz natyror.

Tsipras shpalli gjithashtu se gjithë pensionistët do të marrin çdo vit një shpërblim, në shenjë të kompensimit të uljes drastike të pensioneve që nga viti 2012.

Ndër masat e tjera është reduktimi i taksës për biznesin, nga 28% në 25%, dhe heqja e taksës së solidaritetit për të ardhura deri 20.000 euro në vit. Tsipras e ndërlidhi qartë shpalljen e masave me zgjedhjet e 26 majit, por edhe me ato të përgjithshme që pritet të mbahen në vjeshtë.

Për këtë paketë më 26 maj kërkojmë votëbesimin e popullit grek dhe natyrisht, miratimin e tij përfundimtar që ta konkretizojmë në fillim të tetorit, në zgjedhjet kombëtare”, tha Tsipras.

Partia më e madhe opozitare, Demokracia e re, komentoi se “i mirëpret” masat e shpallura nga kryeministri.

Pak ditë para zgjedhjeve të 26 majit që e di se do t’i humbasë, Tsipras detyrohet që adoptojë angazhime të Demokracisë së Re për nevojën e reduktimit të taksa tatimeve”, vihet në dukje në një deklaratë për shtyp të konservatorëve grekë./ABC News Albania 24/7