Kryeministri britanik i kërkon mbretëreshës pezullimin e parlamentit

schedule16:35 - 28 Gusht, 2019

schedule 16:35 - 28 Gusht, 2019

Mbretëresha Elizabetë duhet të vendosë nëse do të pranojë apo jo kërkesën për pezullimin e parlamentit britanik deri në datën 14 tetor. Kërkesa i është bërë nga kryeministri Boris Xhonson, ndërsa peticioni kundër mbylljes së parlamentit ka mbledhur deri tani më shumë se 30 mijë firma.

Boris Xhonson konfirmoi se i ka kërkuar mbretëreshës Elizabetë që të pezullojë parlamentin britanik gjatë javës së dytë të shtatorit deri në 14 tetor, dy javë para datës së caktuar për Brexit, që parashikohet të ndodhë në 31 tetor.

Xhonson deklaroi se deputetët do të kenë shumë kohë për të diskutuar. Pezullimi u cilësua nga opozita në vend si një mënyrë për të ndaluar deputetët që të shmangin një Brexit pa marrëveshje.

Sipas mediave britanike, mbretëresha Elizabetë ka pushtetin për të refuzuar kërkesën e Dauning Strit, por gjithsesi do të ishte një veprim i paprecedentë. Duket shumë e pamundur që mbretëresha të kundërshtojë Boris Xhonson.

Sipas kryetarit të parlamentit britanik, Xhon Berkou, vendimi i kryeministrit përbën një shkelje të kushtetutës. Ai theksoi se mbyllja e parlamentit do të ishte një ofendim për procesin demokratik dhe të drejtat e deputetëve.

Ndërkohë janë 30 mijë firmat e mbledhura Brenda pak orësh në një peticion që i kërkon qeverisë britanike që të mos pezullojë parlamentin. Qeveria duhet t’i përgjigjet të gjitha peticioneve që marrin më shumë se 10 mijë firma. Ndërsa me 100 mijë firma peticioni mund të bëhet objekt debati në parlament.

Ministri britanik i financave, Saxhid Javid konfirmoi planet e qeverisë për të shtuar shpenzimet për shkollat, spitalet dhe policinë teksa vendi përgatitet për daljen nga Bashkimi Europian. Ekzekutivi i Xhonson do të mbajë fjalën për 20 mijë agjentë policie më shumë dhe 1.8 miliard stërlina për përmirësimin e spitaleve të Mbretërisë së Bashkuar. Javid  u shpreh se detyra më e rëndësishme për qeverinë është dorëzimi i Brexit brenda datës 31 tetor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!