Kryemadhi thirrje qytetarëve të prag të festave: Konsumoni shqip!

schedule17:51 - 27 Dhjetor, 2019

schedule 17:51 - 27 Dhjetor, 2019

Në prag të festave të fundvitit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u është drejtuar me një thirrje qytetarëve shqiptarë.

Kryemadhi bën thirrje që në tavolinën e festës të ketë produkte shqiptare, kjo në ndihmë të fermerëve.

Me anë të një video-mesazhi kryetarja e LSI, shprehet se ky është momenti të ndihmojmë njëri-tjetrin, ndërsa akuzon qeverinë  se kërkon ti vendosë produktet shqiptare “përballë konkurrencës sa të pandershme aq edhe antikombëtare”.

Mesazhi i plotë:

BLEJ SHQIP, KONSUMONI SHQIP, GËZONI SHQIP!

Të nderuar miq!

Në festat e fundvitit ashtu sikurse është traditë të gjithë do të shtrojnë tavolinën për darkën e festës.

Ndajmë gëzimin, por edhe është momenti të mendojmë shumë më shumë për njëri-tjetrin, sepse kemi nevojë si asnjëherë më parë për njeri-tjetrin.

Tavolina e festës duhet të jetë sa më shumë shqiptarë, ndaj të konsumojmë sa më shumë produkte shqiptare.

Produkte të shkëlqyera, që i prodhon djersa dhe mundi i papërshkrueshëm i mijëra shqiptarëve të lënë pasdore nga kjo qeveri, që i ka hequr çdo subvencion fermerëve dhe agropërpunuesve shqiptarë.

Tashmë përmes një politike prej shërbëtorësh të interesave të oligarkëve qeveria kërkon që ti vendosë produktet shqiptare edhe përballë konkurrencës sa të pandershme aq edhe antikombëtare.

Konsumoni shqip, konsumoni frutat, zarzavatet, bulmetrat, verën, birrën, miellin shqiptar, në ndihmë të gjithë fermerëve dhe prodhuesve të shijes së mrekullueshme shqiptare që të mbështesim fort njëri-tjetrin edhe në këto ditë festash,ashtu siç gjendemi pranë në ditë të vështira.

Gëzuar Viti e Ri jo vetëm me urimin shqip, por edhe me produktet unike shqiptare në tavolinat tona.

Blini shqip, konsumoni shqip, gëzoni shqip.

Gëzuar miq!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!