Kryemadhi-Ramës: Po ngatërron lucën me llucën, e ke vendin tek bashkëpunëtorët e tu, në qeli

schedule14:51 - 5 Tetor, 2020

schedule 14:51 - 5 Tetor, 2020

Pas miratimit të ndryshimeve të Kodi Zgjedhor në Kuvend, ka ardhur reagimi i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.

Në një dalje për mediat, nga selia e LSI, Kryemadhi tha se për gjashtë muaj kryeministri Edi Rama nuk mund të pastrojë  “pisllëqet që ka bërë në këto 8 vite”.

Kryemadhi tha ndër të tjera se Rama ka frikë nga zgjedhjet dhe se e ka vendin në burg.

Deklarata e Kryemadhit:

“Frikacaku tregoi edhe njëherë që ka frikë nga populli i tij, ka frikë nga partia e tij dhe mbi të gjitha ka frikë nga vota e lirë e shqiptarëve. Ai sot jo vetëm nuk hapi listat por i bunkerizoi ato. Ai tregoi edhe njëherë frikën e tij që ka nga partnerët seriozë europianë që ndjekin nga larg zhvillimet, ku vetëm disa ditë më parë u dekonspirua nëndrejtori i tij që ndante informacion me grupet kriminale.

Rilindja ngatërron lucën me llucën, por nuk është as pastrim i barkut të peshkut. Këtë duhet ta kuptojë mirë Edi Rama. Edi Rama sot është armiku i shqiptarëve që humbën shtëpinë nga tërmeti, është armiku i naftëtarëve të Ballshit, është armik i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të cilët jo vetëm nuk paguhen por as nuk mbrohen nga pandemia. Paratë e tyre ai tashmë i kalon me vendime sekrete në xhepat e oligarkëve.

Edi Rama është armik i mësuesve. Nuk ka faj që flet broçkulla se i është prishur qetësia. 6 muaj nuk i dalin që të pastrojë pisllëqet që ka bërë në 8 vite. Sot bën si i fortë ditën por natën sjell emisarët e tij për të shpëtuar kokën pas 5 prillit.

Më kot lodhesh, era e qelbur e kufomës politike që të rrethon ty dhe shpurën tënde nuk mund ta mbulojnë dot as parfumet më të shtrenjta të Rilindjes, brenda dhe jashtë vendit. Ti zotëri e ke vendin aty te bashkëpunëtorët e tu, aty ku i ke çuar ti bashkëpunëtorët e tu më të afërt, dhe siç ndodh rëndomë, do të jesh kolegu i qelisë së tyre”. tha Kryemadhi.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!