Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi këtë të mërkurë në një deklaratë për mediat ka denoncuar publikisht skandalin e paralajmëruar dy ditë më parë për landfillin e Tiranës.
Kryemadhi është shprehur se ajo para disa ditësh është njohur në lidhje me disa fakteve shokuese për aferën korruptive të inceneratorëve, më saktë të inceneratorit të Qarkut të Tiranës.
Sipas saj ajo zotëron të gjithë dokumentacionin përkatës të detajuar në lidhje me skandalin e ndodhur në këtë landfill, ku është shprehur se do ti dërgojë në SPAK për të parë dhe identitetin e vërtetë të këtij instuticioni.
“Ashtu siç kam deklaruar dy ditë më parë, do të paraqes sot të vërtetat tronditëse, të dokumentuara, se si ministra, shtetarë dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit kanë kryer vjedhjen më të madhe të dokumentuar në 100 vite shtet.
LEXO EDHE: Skandali me landfillin/Kryemadhi: Ahmetaj u shmang, Koka këmbënguli, së shpejti denoncime të tjera
Përpara pak ditësh jam vendosur në dijeni të disa fakteve shokuese për aferën korruptive të inceneratorëve, më saktë të inceneratorit të Qarkut të Tiranës.
Me përgjegjësinë për të thënë të vërtetën dhe me bindjen e palëkundur timen që LSI ka zero tolerancë ndaj çdo afere korruptive, ka zero tolerancë ndaj çdo bashkëpunimi të institucioneve shtetërore me grupet mafioze. Ka zero tolerancë ndaj çdo grabitjeje që u bëhet xhepave të shqiptarëve.
Prandaj jam sot këtu, me personin tim fizik, për të denoncuar këtë aferë, bazuar e tëra në dokumente shtetërore, me firmë dhe me vulë, me korrespondencë ligjore, haptas, qartas, sesi shkelen totalisht ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por më e rënda është se si tallen me shqiptarët dhe taksat e tyre, të cilët në mjerim vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë.
Në gjithë këtë të vërtetë, unë sot do t’ia drejtoj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ose siç e quajmë ne në kuadrin e Reformës së re në Drejtësi, SPAK-ut, dhe shpresoj që identitetin dhe dinjitetin e këtij institucioni ta shikoj në vazhdim.
Sot është vetëm fillimi i këtij kalvari grabitjeje dhe mashtrimi tronditës që qeveria e Edi Ramës në bashkëpunim me grupe mafioze dhe të strukturuara kriminale i bëjnë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe ligjit shqiptar.
Do t’ju kërkoja pak durim, çdo dokument është i faktuar dhe këtu janë prezent të gjitha materialet, të cilat e kanë kapur ‘shah mat’ Edi Ramën me qeverisjen e tij dhe të gjithë piruetat që ai ka ndërtuar në qeverisje, nuk kanë më shans të rrotullohen, por vetëm të përballen përpara drejtësisë. Durim, çdo fakt që ju do të shihni në këtë material të përgatitur nga unë është i faktuar me dokumente zyrtare, me vulë, me firmë dhe numër protokolli”, ka thënë kryemadhi.
Ndër të tjera kryetarja e LSI-së në një deklaratë për mediat është shprehur se kompania ‘Integrated Energy’ i ka dërguar një letër interesi ministrisë së Mjedisit e cila i ka kthyer dhe menjëherë përgjigje në lidhje me kërkesën e tyre.
Se ministria e bashkia në një përgjigje shumë të shpejtë i kanë kthyer përgjigje me një shpejtësi që nuk veprojnë as për të sëmurët me Covid, për të favorizuar kompaninë e inceretorëve.
“Këtu kemi në datën 23 qershor një shprehje interesi nga firma ‘Integrated Energy’, e cila paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë një letër interesi për ndërtimin e një landfilli të tillë dhe brenda pesë ditësh kemi një kthim nga Ministria e Mjedisit, e cila e pranon letër – ofertën dhe gjithashtu vendos në dijeni edhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Shumë shpejt. Për 30 vjet bëhet një aplikim për 400 milion euro, të cilat do të dalin nga xhepat e shqiptarëve.
Më datë 24 gusht të 2016-s, Ministria e Mjedisit i kërkon ATRAK-OS, Ministrisë së Energjisë dhe Bashkisë së Tiranës caktimin e përfaqësuesve të tyre, pra ngrenë menjëherë komisionin për dhënien e koncesionit.
Një angazhim shumë i shpejtë, i jashtëzakonshëm. Të mos harrojmë që ky angazhim i menjëhershëm nuk ka ndodhur asnjëherë për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti apo për t’iu gjendur pranë të sëmurëve me COVID-19 në Shqipëri.
Në datën 1 shtator 2016 shoqëria në fjalë paraqet pranë Ministrisë së Mjedisit, me dijeni edhe Bashkinë e Tiranës, studimin e fizibilitetit. Dhe vetëm më 5 shtator Ministria e Mjedisit ngre Komisionin e dhënies me koncesion për projektin, ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit, ku në krye të komisionit vendoset zonja Valbona Ballgjini.
Më 9 shtator 2016 zhvillohet mbledhja e parë. Mos harroni që për situatën e tërmetit nuk kemi pasur asnjëherë asnjë mbledhje. Bëhet mbledhja e parë e komisionit. Ky është proces-verbali i parë ku janë pjesëtarë dy përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, Ministria e Mjedisit dhe ATRAKO”, është shprehur ndër të tjera Kryemadhi.e.su./abcnews.al