Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi përmes një konference për shtyp ka falenderuar të gjithë donatorët që dhuruan fonde për pasojat e tërmetit në Shqipëri.
Mirëpo, siç thekson Kryemadhi entuziazmi ka mbaruar dhe qeveria duhet të fillojë menjëherë marrjen e përgjegjësisë.
“Takimi i djeshëm tregoi qartë që nuk ka asnjë lloj paragjykimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por përkundrazi ata i duan dhe i respektojnë ata dhe madje ndjejnë detyrim për t’i ndihmuar.
Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne është që notat e entuziazmit tashmë mbaruan, por duhet të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare.
Dje në takim pothuajse me përafërsi akoma të pazyrtarizuara përfundimisht, por në atë çka është deklaruar dhe dje, për shqiptarët dhe shtëpitë në rindërtim do të shkojnë 265 milion euro, të cilat janë para që do t’i krijojnë mundësi për shqiptarët dhe familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre, të mos vazhdojnë të paguajnë kreditë e kripura që janë ngritur pas tërmetit. Do të thotë që të ndërtohen sa më shpejt shtëpitë e tyre, që jo të dalë dimri i vitit tjetër, por edhe pranvera e këtij viti ata të hyjnë të lumtur në shtëpitë e tyre, sepse takimi i djeshëm ia dha këtë mundësi dhe shans që ata të jenë të qetë dhe të hyjnë sa më shpejt në shtëpitë e tyre.
Nga ana tjetër, sigurisht që buzëqeshja e kryeministrit tonë ishte shumë e madhe, sepse prej vitesh po kërkon për të marrë kredi nëpër bankat dhe institucionet ndërkombëtare për të paguar pagat dhe për të paguar shpenzimet administrative. Kishim një shumë prej 885 milion euro, të cilat janë në formë huaje, në formë borxhi që janë para që do ti paguajnë shqiptarët me taksat dhe paratë tona, do ti paguajnë fëmijët e shqiptarëve. Prandaj është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi, të pavarur, me ekspertë që do të bëjnë monitorimin e të gjithë këtij projekti, sepse ajo që është edhe më e rëndësishme është që besimi i shqiptarëve te kjo qeverisje ka humbur.”, tha Kryemadhi. /abcnews.al