Kryemadhi nga Kombinati: Shtëpitë do i ndërtoni aty ku i kishit

schedule13:18 - 11 Prill, 2021

schedule 13:18 - 11 Prill, 2021

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u premtoi qytetarqve sot në Kombinat se shtëpitë do t’i ndërtojnë aty ku i kishin. Kryemadhi gjithashtu kërkoi që prokuroria të hetojë lëvizjet e  Bashkisë së Tiranës.

“Sot në Kombinat si para 21 vjetëve na u desh përsëri me zotin Vasili 1 orë e 20 minuta për të ardhur nga zyrat e LSI deri në kombinat, për shkak të trafikut, bllokimit të rrugëve, absurditetit që po ndodh çdo ditë e më shumë për shkak të ndërtimeve në Tiranë. Sot nga ky vendi ku jam unë shikoj godina të shembura, të rrënuara. Të kthesh kokën do të shikosh fasadën e dëmtuar që Edi Rama i ka bërë Kombinatit. Ajo që unë dua të theksoj dhe them, dhe që tha edhe Floida, sepse unë besoj tek të rinjtë dhe të rejat, sepse dëshirat dhe ëndërrat e tyre, janë të patjetërsueshme. Çdo kush do jepte jetën për të realizuar ëndërrat e fëmijëve të tij dhe prandaj unë besoj tek të rinjtë, besoj të forca që Floida ka për ta çuar deri në fund betejën për shtëpitë e kombinatësve, që bashkia e Tiranës me Edi Ramën në krye duan të shembin. Pallatet që kombinatësit i kanë ndërtuar me gjakun e tyre, të prindërve të tyre, siç ndërtuan Kombinatin, tashmë Edi Rama kërkon ti largojë nga shtëpitë e tyre, pronat e tyre për të ju dhanë oligarkëve për të ndërtuar kullat dhe për të kthyer truallin e kombinatësve në lulishte.

Betejën e parë qytetarët e kombinatit e fituan. Fituan në Gjykatën Administrative për vendimet e parregullta që Bashkia e Tiranës ka marrë për tjetërsimin e pronave të kombinatësve. Ky është vetëm fillimi. Ne do ta çojmë deri në fund për të mbajtur jo veç fjalën që ju kemi dhënë, por sepse kjo është më njerëzorja, e ndershmja që secili nga ne ka. Nëse ne nuk respektojmë pronën e tjetrit si mund të respektojmë të drejtat e njeriut, të shkollës, të shëndetit, të fjalës. E pra, kombinatasit që kanë shtëpitë aty do ti rindërtojnë prap me paratë e buxhetit të shtetit dhe jo paratë e tyre.

Sepse sot jo vetëm Bashkia e Tiranës por edhe çdo institucion tjetër duhet të jetë shumë i kujdesshëm, dhe i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë për lëvizjen e parave që bëhet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë nëpër qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë t’ju tjetërsojnë pronën apo votën,” deklaroi Kryemadhi gjatë takimit mesditën e sotme. /abcnews.al