Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka mbështetur qëndrimin e KMSH për zgjedhjet e 25 Prillit. Ajo fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit dhe të denoncojnë në të gjitha institucionet çdo formë presioni apo intimidimi për votën e tyre.
“Duartrokas Qëndrimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Pjesë nga deklarata e tyre: “VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet. Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!” Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 Prillit dhe të denocojnë në të gjitha institucionet çdo formë presioni apo intimidimi për votën e tyre”, shkruan Kryemadhi.
Ajo ka shpërndarë edhe thirrjen e Ipeshkvëve katolikë.
“I bashkohem apelit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe ju ftoj të lexoni deklaratën e tyre shumë të rëndësishme për zgjedhjet e 25 Prillit. Me votë vendosim për një arsim më cilësor për femijët, për punësim të mirëpaguar për punëtorët, për kosto më të ulët jetese, për një të ardhme që na bën të ndihemi krenarë që jetojmë në Shqipëri. Ndaj i nxis të gjithë shqiptarët e sidomos të rinjtë, të denoncojnë shitblerjen e votës dhe çdo fenomen tjetër negativ që do të cënonte integritetin e këtyre zgjedhjeve që do të sjellin ndryshimin e shumëpritur”, shkruan Kryemadhi./mv.abcnews.al