Kryemadhi komenton propozimin e Ramës për legalizimin e kanabisit: Do të fuqizojë grupet kriminale

schedule14:59 - 12 Maj, 2020

schedule 14:59 - 12 Maj, 2020

Ka përfunduar takimi i aleatëve me kreun e PD, Lulzim Basha në selinë blu. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha para mediave se diskutuan për përgatitjen e një platforme për mënyrën e zgjidhjes së situatës.

“Çdo shqiptar është në ditën më të zezë. Sot diskutuam për përgatitjen e një platforme për mënyrën e zgjidhjes së situatës. Krijimin e mundësive për biznesin”, u shpreh kryetarja e LSI.

LEXO EDHE: Opozita del në terren. Basha me aleatët: Takime me qytetarët në gjithë vendin

Kryemadhi iu përgjigj pyetjes së gazetarit të Abc News, Juxhin Mustafaraj lidhur me takimin e nesërm për Reformën Zgjedhore. Për këtë ajo theksoi se reforma duhet të përmbyllet sa më parë, pasi është zgjidhja që do të çojë në zgjedhje të reja.

“Nesër është takimi i radhës për tu përgatitur për punët që janë lënë, dhe për ta mbyllur sa më shpejt. Mbyllja e reforës çon vendin drejt një zgjedhje që janë zgjedhjet e reja”, tha Kryemadhi.

Ndërkaq, kryetarja e LSI komentoi edhe propozimin e kryeministrit Rama për të legalizuar kanabisin mjekësor. Sipas Kryemadhit legalizimi i kanabisit është skandali i radhës i kryeministrit për të larguar vëmendjen, dhe fuqizon grupet kriminale.

“Si gjithmonë Edi Rama është kryemashtruesi. Është një moment për të larguar vëmendjen nga varfëria që ka kapllosur shqiptarët. Nuk është gjë tjetër veçse legalizmi i grupeve kriminale, fuqizimi i tyre. Është një nga skandalet e radhës dhe një nga shashkat e radhës që Rama hedh sepse nuk do që media të diskutojë për problemet e shqiptarëve”, u shpreh ajo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!