Kryemadhi: Këto dy vite e pastruam LSI nga shushunjat që pinë gjakun e anëtarëve të saj

schedule16:39 - 14 Prill, 2021

schedule 16:39 - 14 Prill, 2021

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka komentuar nga Lushnja largimet nga partia e saj në drejtim të socialistëve. Kryemadhi deklaroi se këto dy vite kanë shërbyer që LSI të pastrohet nga shushunjat që pinë gjakun e anëtarëve të saj.

“Këto dy vite e pastruan LSI nga shushunjat që pinë gjakun e anëtarëve të saj. Sot jem partia e burrave dhe grave që punojnë tokën. Jemi partia e nënave që falin jetën për fëmijët. Jemi partia e djemve që bëjnë çdo gjë për të mbajtur shtëpinë në këmbë. Jemi partia e atyre që duan të sjellin ndryshimin më 25 Prill”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha se është borxhlie me qytetarët e qytetit të Lushnjes pasi gjithmonë i kanë dhënë votë LSI, e cila sipas saj është partia që mendon për njerëzit e thjeshtë.

“Pas 25 Prillit jam borxhlie me të rinjtë dhe të rejat e Lushnjes.  Ajo që është më e rëndësishme është angazhimi I secilit nga ne për t’i çuar gjërat deri në fund. Qarku i Fierit i ka dhënë gjithmonë votë LSI-së. Kam ardhur për të larë borxhet nga qytetarëve në Fier, por më shumë ndaj familjeve tuaja.

Është një borxh që unë si nënë e marr përsipër përballë jush sepse nëse ne nuk do kujtojmë që herë pas here të kthejmë kokën pas, atëherë nuk kemi sjellë asnjë ndryshim. Ndryshimi vjen më 25 Prill duke votuar numrin 6. Emrat ikin dhe vijnë por vlerat janë ato që na mbajnë bashkë. I japim dorën njëri tjetrit dhe I qëndrojmë njëri tjetrit. Nga Shkodra deri në Sarandë, kandidatët e LSI janë një dhe janë të gjithë bashkë. 11 ditë na ndajnë nga data e ndryshimit. Do dëgjoni lajme dhe do ju trokasin në dyert tuaja me qeset e ushqimeve, do vijnë t’ju presin energjinë elektrike.

Mos u tërhiqni por qëndroni bashkë më 25 Prill për të votuar për familjet tuaja dhe Shqipërinë që të bëhet shtëpi e shqiptarëve. Jetët tona janë në dorë të zotit. Zoti është një. Shqipëria është e shqiptarëve. Unë jam nëna e 3 fëmijëve. Jam marrë prej 30 vitesh me politikë. Kam mbi 17 fushata elektorale që organizoj. E kam pasur të vështirë sepse një gjë duhet të dini. Unë nuk bëj kompromis me të ardhmen e të rinjve dhe të rejave. Unë nuk bëj kompromis me karrige”, u shpreh Kryemadhi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!