Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi pasditen e sotme ishte në Durrës ku zhvilloi një analizë me strukturat për humbjen e 25 Prillit. Fajin për humbjen ajo ia faturoi asaj që e quajti “marrëveshje e fshehtë mes qeverisë dhe shtojcës së saj në radhët e opozitës së bashkuar”.
Gjithashtu, ashtu si PD, edhe LSI, flet për masakër zgjedhore, pavarësisht se rrugët me selinë blu janë ndarë keq.
“Rikthehem me kënaqësi në takim me ekipin e Durrësit, pas një analize të plotë që kemi zhvilluar, mbi arsyet dhe pasojat e masakrës zgjedhore të 25 Prillit.
Mandati i përfaqësimit në Kuvend, edhe pse ishte shprehur qartë nga qytetarët në kutitë e votimit, i’u mohua LSI-së në Durrës prej marrëveshjes së fshehtë të bashkëpunimit, që ekzistonte mes qeverisë dhe shtojcës së saj në radhët e opozitës së bashkuar.
Kjo është bërë e dukshme para, gjatë votimit, si dhe në çdo tavolinë të numërimit, ku interesi primar i bandës së inceneratorëve qeveri-opozitë, ishte mandati i kryeministrit në Durrës dhe vijimi i mandatit qeverisës.
Ne po ringrihemi më të fortë dhe të vendosur, e bashkë me qytetarët durrsak, me gratë, vajzat dhe të rinjtë energjik, do të përfaqësojmë siç duhet interesat e çdo banori të këtij qyteti të mrekullueshëm. Misioni për shtëpinë tonë të përbashkët, vijon dhe rëndësia e tij është sot më i madh se kurrë” deklaroi Kryemadhi.
LSI nuk mori asnjë mandat në Durrës./ Abcnews.al