Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka qenë ditën e sotme në Gramsh, ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputet, Valdimir Mukan dhe Saimi Kumrija.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI, është shprehur se Partia që ajo drejton sot ë punojë për rininë pasi sipas saj është një prioritet.
“Ne do të ecim përpara, ne do të luftojmë për të rinjtë, të rejat, për fëmijët e familjeve shqiptare.”
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
“Është e vërtetë që nuk ka rëndësi renditja, por unë jam e bindur që profesor Ladi do të jetë përfaqësues në Parlamentin shqiptar nga Gramshi dhe do të jetë më votat e gramshakëve. Por, ajo që mendoj është që, edhe pse Saimiri është i 14-i, por kjo nuk ka të bëjë me renditjen, por ka të bëjë me angazhimin e Saimirit, sepse çështja e mandateve dhe Kodi Zgjedhor na e jep mundësinë të gjithëve për të qenë pjesë e strukturës.
Sepse në fakt Edi Rama e bëri Kodin Zgjedhor se mendoi që mund të dëmtonte opozitën, por ky Kod Zgjedhor ka favorizuar LSI-në, e cila ka 153 kandidatë, të cilët kanë shanset dhe mundësitë që të tërheqin votat, të cilat kanë qenë të pamundura ti tërhiqnim ne vetëm me logon e LSI-së. Pra, janë kandidatë, të cilët përfshihen me kapacitetet e tyre, me angazhimet e tyre personale, të cilat sjellin jo vetëm vota të tjera, por edhe angazhimin e shumë vlerave të shoqërisë për të cilat ne kemi nevojë.
Profesor unë vërtet të jam mirënjohëse, sepse nganjëherë në momente të tilla mosha thotë që pse duhet të rriskoj, por unë të vlerësoj për guximin, por në radhë të parë të vlerësoj për forcën dhe kurajën që më jep mua në këtë betejë që duket si betejë e vështirë, por në fakt është betejë e fituar, sepse të mendosh që në qytetin e Gramshit, ku pjesa më e madhe e të rinjve dhe të rejave janë larguar, të kesh këtë brez këtu, të kesh këtë suport të madh. Dhe ka diçka shumë të mirë në këtë drejtim, që ne nuk i importojmë apo i marrim nga qytetet e tjera, por i kemi të gjithë bio, të vendit.
Ndaj unë e quaj këtë një fitore të madhe dhe unë e quaj betejën të fituar, dhe ajo që është më e rëndësishme është që ne nuk do ta kthejmë më kokën pas. Ne do të ecim përpara, ne do të luftojmë për të rinjtë, të rejat, për fëmijët e familjeve shqiptare.
Dhe në kuadrin e programit të LSI-së, pesë prioritetet tona janë kryesore. Dhe ne kur kemi diskutuar edhe atë 1 për qindëshin për bizneset për ta çuar në buxhetin e arsimit, ka qenë edhe një ndihmesë e jotja, që na nxite që ta vendosim në pesë prioritetet tona, sepse në kohën që ju keni drejtuar fakultetin tuaj në bazë të këtij projekti keni punuar. Me projekte me bizneset, të cilët kanë subvencionuar fakultetin tuaj, dhe i kanë dhënë mundësinë për të pasur një cilësi dhe standard shumë të mirë, jo vetëm të studentëve, por edhe për të prodhuar kuadro me një nivel të lartë profesional.” ka thënë Kryemadhi.