Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi këtë të shtunë ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Shkodër ku në fokus ka qenë situata ekonomike në të cilën ndodhet vendi kohët e fundit.
Kryemadhi teksa konfirmoi lidhjen familjare mes presidentit Meta dhe Gjonajt, tha se ‘ministrja bukuroshe’ ende nuk ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me falsifikimet e protokollit.
“Sot e kësaj dite akoma nuk kemi një përgjigje nga ministrja jonë bukuroshe që sa për dijeni të shqiptarëve ka lidhje familjare me presidentin e Republikës. Akoma s’ka kthyer përgjigje se pse ka falsifikuar protokollin e ministrisë. Për mua moralisht Arta Vorpsi është një ngelëse ku çdo gjimnazisti s’i jepet diploma se ka ngelur në provim. Siç ka vjedhur protokollin, ashtu ka vjedhur edhe pronat e shqiptarëve.
Siç merr guximin një halabake rrugësh për të falsifikuar protokollin e shtetit, që është i shenjtë, kjo dhe bandat e saj, mos u çudisni, ju kanë vjedhur pronat e shqiptarëve, paratë e të persekutuarve politikë, ky person nuk e ka problem, siç falsifikoi procesverbalin e Lazer Saitit, po kështu kjo falsifikon provat e vrasësve dhe kriminalëve, iu heq shenjat e gishtërinjve të atyre dhe vendos shenjat e gishtërinjve të qytetarëve të thjeshtë. Kjo halabake e shtetit shqiptar, më falni për gjuhën, por kur arrin guximi të falsifikojë të drejtën e Presidentit, mendoni çfarë mund të bëjë ajo ndaj qytetarëve, me fatin dhe jetën e tyre”, tha Kryemadhi.
Gjithashtu ajo është shprehur se do të jetë në Bulevard si qytetare për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve.
“Më 2 mars unë do të marrë pjesë si qytetare jo se jam me Ilir Meten, se ai me tolerancën e tij dhe besimin që pati në PS nuk u tregua i vëmendshëm për të mos lejuar këtë kapje të gjithë sistemit. Unë do jem aty si një qytetare, si një nënë dhe si një bashkëshorte që do te jetojë e qetë me familjen e saj. 2 marsi do ta shikoj si një pjesëmarrje të thjeshte kundër të gjithë atyre rilandasve pervers që kanë pushtuar shkollat dhe dhunojnë vajzat tona, do marrë pjesë si një pensionist, si çdo studentë, si çdo i papunë”, është shprehur ajo.