Kryemadhi akuza ndaj Komisionit për Inceneratorët: Me urdhër politik nuk mori në pyetje ata që dhanë koncesionin

schedule10:40 - 16 Shkurt, 2022

schedule 10:40 - 16 Shkurt, 2022

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi hedhur akuza ndaj Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Në një status në rrjetet sociale Kryemadhi thotë se me urdhër politik ky komision nuk është lejuar të marrë në pyetje Komisionin e Dhënies me Koncesion të Inceneratorit të Elbasanit, sipas saj me një arsyetim qesharak. Kryemadhi shprehet se minimumi që duhet të bëhet Komisioni Parlamentar është të informohej nëse ka mbivendosje Komisioni Parlamentar me SPAK.

Deklarata e Kryemadhit

Skandaloze! Me urdhër politik, Komisioni Hetimor Parlamentar nuk u lejua të merrte në pyetje Komisionin e dhënies me Koncesion të inceneratorit të Elbasanit me arsyetimin qesharak: Marrëveshje me SPAK (për ruajtjen e sekretit hetimor). vMinimumi, Komisioni Parlamentar duhej të informohej: A ka mbivendosje Komisioni Hetimor Parlamentar me SPAK?

Nëse anëtarët e Komisionit kanë lidhur marrëveshje me SPAK, ku është marrëveshja??? Çfarë statusi kanë anëtarët e KOMISIONIT? A kanë të drejtë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të informohen nga SPAK kë duhet të marrin në pyetje dhe kë jo ?

Analiza e veprimtarisë apo deklaratat e z. Pëllumb Abeshi, si Kryetar i Komisionit të Dhënies me Koncesion, si dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit, do të zbardhnin qartazi për publikun shkeljet e rënda proceduriale, që sipas Kryeministrit Rama nuk ekzistojnë.  Kryetarja e Komisionit duhet të mos kishte lejuar në asnjë moment, heqjen e kamerave që siguronin transparencën për publikun.

Komisioni Hetimor me çfarë duket do të përfundojë thjesht me dëshmitarë që nuk dëshmojnë, apo që nuk do mbajnë mend, se çfarë ka ndodhur. Për Elbasanin, Fierin, Tiranën, topi tashmë është në fushën e SPAK! Inkurajoj çdo prokuror dhe gjyqtar, që ta shohin të vërtetën siç është, pa marrë parasysh funksionet apo përkatësitë politike të individëve nën hetim.

Ndërkohë, siç e kam bërë në tre kallëzimet penale, shoqëruar me fakte, do vijoj të zbardh pa u ndalur të vërtetën si ka ndodhur, kush e ka lejuar, e kush po përfiton paratë e qytetarëve. Jam në dispozicion të çdo institucioni, për të dëshmuar me fakte, me prova, me zë e me figurë, të vërtetën e kësaj afere.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!