Ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare për Evropën.
Kamikawa tha se vizita e saj në Kosovë – që është vizita e parë – është në funskion të arritjes së paqes dhe stabilitetit në kontinentin evropian.
Para vizitës në Kosovë, ajo qëndroi edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e Kurtit, në takim është biseduar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Kryeministri Kurti dhe ministrja Kamikawa, gjithashtu diskutuan rreth çështjeve rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, në kuadër të së cilit kryeministri Kurti tha se është arritur Marrëveshja Bazike, por e cila nga fillimi dhe në vazhdimësi është shkelur në mënyrë të hapur nga Serbia”, u tha në njoftim.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve vitin e kaluar. Marrëveshja – edhe pse nuk është nënshkruar, për shkak të refuzimit të Serbisë – nga BE-ja konsiderohet e obligueshme për palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Vizita e ministres Yoo Kamikawa në Kosovë zhvillohet në kohën kur Kosova dhe Serbia këtë vit shënojnë 15-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike.
Në takimin mes Kurtit dhe ministres japoneze është diskutuar edhe për mënyrat se si palët mund të thellojnë dhe forcojnë raportet. Po ashtu, gjatë një takimi me gazetarë në Kosovë, zyrtarë japonezë thanë se shteti i tyre po e shqyrton mundësinë e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Tokio veçse ka hequr regjimin e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare të Kosovës.
Ndërkaq, në takimin mes Kurtit dhe kryediplomates japoneze për mundësinë e investimeve nga kompanitë japoneze, veçmas në sektorin e energjisë së ripërtërishme dhe infrastrukturës hekurudhore.
Japonia i jep mbështetje Kosovës në shumë sfera përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin dhe monitorimin e ndotjes së ajrit dhe mbështetjen për televizionin publik të Kosovës.
Japonia po ashtu mbështet fushën e mbrojtjes, duke ofruar trajnime për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë ditës, ministrja Kamikawa është takuar edhe me kryediplomaten e Kosovës, Donika Gërvalla. Në kuadër të vizitës, ajo është paraparë të takohet edhe me zyrtarë të tjerë në Kosovë. /rel