Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar hodhi poshtë të hënën krijimin e një shteti palestinez si një qëllim “realist”, në mes të luftës së vazhdueshme në Rripin e Gazës.
“Unë nuk mendoj se ky pozicion është realist sot dhe ne duhet të jemi realist”, ka thënë ministri i sapoemëruar në përgjigje të një pyetjeje mbi krijimin e një shteti palestinez në këmbim të një normalizimi të lidhjeve midis Izraelit dhe vendeve arabe.
Një shtet palestinez do të ishte “një shtet i Hamasit”, shtoi Saar, duke iu referuar grupit militant palestinez në Gaza me të cilin Izraeli ka qenë në luftë për më shumë se një vit.
Përpjekja e normalizimit ishte pjesë e Marrëveshjes së Abrahamit të vitit 2020, e mbikëqyrur nga Donald Trump dhe procesi mund të rifillojë pasi ai të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar në SHBA.
Ndërsa ai foli në Jerusalem, liderët arabë dhe myslimanë u mblodhën në Arabinë Saudite për një samit që trajtonte luftërat në Gaza dhe Liban, ku Izraeli po lufton gjithashtu aleatin e Hamasit, Hezbollahun.
Ministria e jashtme saudite njoftoi planet për samitin në fund të tetorit gjatë një takimi, gjithashtu në Riad, të një “aleance të re ndërkombëtare” për të bërë presion për krijimin e një shteti palestinez.