Ivan Fedorov, kryebashkiaku i Melitopolit, i cili është nën kontrollin rus, ka dhënë një intervistë në Romë një muaj pas lirimit të tij.
Ai i tha Reuters dhe gazetës italiane Il Messaggero se ishte përballur me tortura psikologjike, por jo fizike kur u kap nga forcat ruse.
Fedorov u shpreh se kishte apeluar për ndihmë për të ndaluar luftën kur takoi Papa Françeskun dhe sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin të shtunën, përpara se të merrte pjesë në një shërbim në vigjilje të Pashkëve.
“Ishin gjashtë ditë të rrezikshme, sepse e kuptova se për rusët jeta ime dhe jeta e civilëve vlenin zero. Ata donin të më bënin një shembull se çfarë do të ndodhte nëse ne nuk pajtoheshim me atë që donin rusët.
“Ushtarët rusë supozuan se do të mirëpriteshin, por nuk u mirëpritën… dhe kjo është arsyeja pse rusët ishin shumë të zemëruar”, u shpreh ai për rrëmbimin e tij.
Kryebahskiaku tha se ishte ende në kontakt me njerëzit në Melitopol, ku situata është e rëndë. “Nuk ka ushqim në qytetin tim. Nuk ka farmaci. Gjysma e qytetit tim është shkatërruar. Më shumë se 200 njerëz janë rrëmbyer. Nuk është e sigurt të ecësh në rrugë”, tha ai.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët. Fedorov tha se kishte ftuar Papa Françeskun të vizitonte Ukrainën dhe të ndërmjetësonte me presidentin rus Vladimir Putin për të garantuar korridoret humanitare për Mariupolin.
Papa ka qenë një kritik i zëshëm i luftës në Ukrainë. /abcnews.al