Të paktën nëntë civilë janë vrarë nga sulmet me raketa ruse të hënën në qytetin ukrainas të Kharkiv, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov. Kryebashkiaku tha se kjo përfshin vdekjen e tre fëmijëve. “Sot patëm një ditë shumë të vështirë. Kjo na tregoi se nuk është vetëm një luftë, kjo është një masakër e popullit ukrainas,” tha ai në llogarinë e tij në Telegram.
“Raketat goditën ndërtesat e banimit, duke vrarë dhe plagosur civilë paqësorë. Kharkiv nuk ka parë dëme të tilla për një kohë shumë të gjatë. Dhe kjo është e tmerrshme,” tha ai. Terekhov tha se katër persona dolën nga streha për të marrë pak ujë dhe u vranë raporton gazetari Tim Lister i “CNN”.
Një familje me dy të rritur dhe tre fëmijë u dogjën të gjallë në makinën e tyre, tha ai. 37 persona të tjerë u plagosën. Administrata e qytetit të Kharkiv dha të njëjtat numra. / abcnews.al