Neymar po kalon një nga momentet më të vështirë në karrierë dhe në jetën e tij. Ylli brazilian pësoi dëmtim me kombëtaren, ndërsa u rënduan akuzat për përdhunim.
E keqja nuk paska të mbaruar për të. Neymar po kalon ndoshta momentet më të vështira të karrierës dhe të jetës, pas dëmtimit që i ndodhi me Brazilin dhe lajmeve të reja nga skandali i përdhunimit të dyshuar.
Ylli brazilian u lëndua në miqësoren që kombëtarja e tij fitoi 2-0 ndaj Katarit, dhe u detyrua të largohej nga stadiumi që në pjesën e parë.
Ky ishte dëmtimi i tij i dytë në pak muaj, ndërsa gazeta franceze “Le Parisien” shkruan se ylli i PSG-së do të jetë jashtë fushave për 6 javë, pra do të humbasë Kupën e Amerikës në Brazil.
Edhe më rëndë se nga dëmtimi, sulmuesi u godit nga videoja e re e publikuar nga modelja e quajtur Nahila Trindade. Në filmim dallohet që futbollisti dhe Nahila ndodheshin në një dhomë hoteli, dhe se ata shtrihen në shtrat, por më pas, femra ngrihet dhe e godet Neymar, i cili duket se tenton t’i kundërpërgjigjet.
Interpretimi i modeles është se ajo goditi pasi u tentua të përdhunohej, ndërsa babai i Neymar-it, i ftuar në një studio televizive në Brazil, pretendon të kundërtën.
“Djali im u sulmua dhe ky ishte një provokim”, – tha babai i sulmuesit.
Vetë Neymar i ka hedhur poshtë akuzat si përdhunues, duke publikuar një video në rrjetet sociale, ku paraqiten edhe mesazhet intime mes tyre. Nahila Trindade ka bërë denoncim në një rajon policie në qytetin e Sao Paulos, duke deklaruar se u përdhunua në një hotel në Paris.
Ajo thotë se Neymar i preu biletë avioni dhe prenotoi dhomën e hotelit në Francë, dhe se ajo e pëlqente, por pastaj futbollisti u bë agresiv. Pritet procesi gjyqësor për të përcaktuar nëse bëhet fjalë vërtet për një përdhunim, apo për një grackë të modeles për të përfituar një shumë të madhe parash nga Neymar.
Ylli i Paris SG pati probleme edhe më parë, pasi u dënua me disa ndeshje pezullim për shkak se goditi një tifoz në përfundim të finales së Kupës së Francës.
Po ashtu, atij iu hoq shiriti i kapitenit nga trajneri i Brazilit, Tite, dhe ndoshta largimi i tij për shkak dëmtimi mund t’i bëjë mirë ekipin përfaqësues për në Kupën e Amerikës./ABC News Albania 24/7