Kriza politike në Itali, Presidenti nis konsultimet

schedule18:35 - 21 Gusht, 2019

schedule 18:35 - 21 Gusht, 2019

Një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ka nisur të mërkurën konsultimet për zgjidhjen e krizës politike. Gjatë ditës në zyrën e kreut të shtetit në Romë ka qenë e pranishme kryetarja e Senatit, Maria Elizabeta Alberti Kazelati, e cila në përfundim të takimit nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Ndërkohë, stafetën e ka marrë kryetari i Parlamentit, Roberto Fiko, i cili ka qëndruar për rreth 30 minuta kokë më kokë me presidentin. Edhe ai ka zgjedhur heshtjen kur ka lënë pallatin presidencial. Konsultimet do të zgjasin dy ditë dhe ditën e enjte pritet që në zyrën e Matarelës të paraqiten VIP-at e politikës italiane.

Opsionet për tejkalimin e krizës janë dy, formimi i një aleance politike që do të çonte rrjedhimisht në krijimin e një qeverie të re, që do të shmangte zgjedhjet e parakohshme, ose vajtja direkt në zgjedhje.

Sondazhet nxjerrin të parën në listë partinë e ekstremit të djathtë Liga e Veriut, por edhe në rast të një fitoreje eventuale, formimi i qeverisë nuk do të jetë i lehtë – shkruajnë mediat italiane.

Ato flasin për një flirt mes partisë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet dhe Partisë Demokratike, ndonëse kryetari i 5 Yjeve, Luigi Di Maio ka deklaruar se partia do të shkojë e vetme në zgjedhje.

Nga ana e tyre, demokratët kanë paraqitur 5 kushte për bashkëpunim. Për Mateo Salvinin, çdo marrëveshje koalicioni do të jetë një marrëveshje kundër partisë së tij, Liga e Veriut.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!