Kriza politike në Itali, përafrohen qëndrimet mes PD dhe Lëvizjes 5 yjet

schedule20:30 - 26 Gusht, 2019

schedule 20:30 - 26 Gusht, 2019

Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike në Itali duket se kanë përafruar qëndrimet me qëllim formimin e një koalicioni të ri qeverisës. Një marrëveshje mes tyre do të shmangte shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, një opsion ky i kërkuar nga ekstremistët e Ligës së Veriut.

Një marrëveshje për formimin e qeverisë mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike në Itali u duk më e mundur të hënën, pasi PD njoftoi se kishte hequr dorë nga vetoja ndaj kthimit të Xhuzepe Kontes në postin e kryeministrit. Konte, i cili nuk i përket asnjë partie, dha dorëheqjen javën e kaluar. Riaktivizimi i tij, me insistim të partisë anti-sistem 5 Yjet por me refuzim të partisë së qendrës së majtë, ishte kthyer në pengesën kryesore për një marrëveshje mes dy palëve, tradicionalisht armiqësore me njëra-tjetrën.

“Nuk ka veto, ajo që ne duam është të bisedojmë”, deklaroi kryetari i PD-së në Senat, Andrea Markuçi kur u pyet nga gazetarët në lidhje me bllokimin e figurës së Kontes. Ndërkohë, krerët e Lëvizjes 5 Yjet u takuan në një apartament në qendër të Romës për të vendosur mbi përgjigjen e tyre. Lëvizja është e ndarë në disa fraksione, disa prej të cilave janë në favor të një marrëveshjeje me demokratët dhe disa të tjera që vlerësojnë se një bashkëpunim i tillë do të copëtonte imazhin anti-sistem të partisë dhe do të çonte në rënien e mbështetjes në radhët e elektoratit. Dorëheqja e kryeministrit Konte javën e kaluar erdhi pasi partia e ekstremit të djathtë, Liga e Veriut, që synon të kapitalizojë mbështetjen në rritje të shprehur për të në sondazhe, e deklaroi koalicionin qeverisës me 5 Yjet “të vdekur” dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!