Kryeministri italian Giuseppe Contedha dorëheqjen paraditen e së martës, duke zyrtarizuar krizën politike në vend. Pas takimit me Presidentin e Republikës Sergio Mattarella në zyrën e këtij të fundit, u vendos që Conte të mbetet ende në detyrë për t’u marrë me problemet më akute që ka vendi për shkak të pandemisë, deri në gjetjen e një zgjidhje.
Mattarella do të fillojë të mërkurën pasdite konsultimet në presidencë me të gjitha palët. Vetëm pasi të ketë dëgjuar mendimet e të gjithëve – praktika më e shpejtë është ajo që sheh konsultime vetëm me grupet parlamentare, por asgjë nuk e pengon presidentin të dëgjojë udhëheqës që nuk janë parlamentarë – ekzistojnë 5 skenarë kryesorë për zgjidhjen e krizës politike.
Skenari nr.1:Conte zgjidhet sërish kryeministër falë “të përgjegjshmëve”
Presidenti Sergio Mattarella i beson Giuseppe Conte detyrën e formimit të një qeverie të re, dhe ky i fundit e pranon me rezerva (për një çështje praktike), por i sigurt për një shumicë të re në parlament pa parlamentarët e Italia Viva të Matteo Renzit, por me “të përgjegjshmit” ose “ndërtuesit”. Ky skenar do të varet nga mënyra se si do të shkojnë konsultimet. Është thelbësore që gjatë tyre të lindë “këmba e katërt”, e aftë t’i garantojë kryeministrit një shumicë si në Dhomën e Ulët ashtu dhe në Senatin italian.
Skenari nr.2:Lind qeveri “Conte 3”, me Matteo Renzin si aleat, por me një kabinet të ri qeveritar
Mundësia që Conte të gjejë një shumicë të re ekziston, edhe pa mbështetjen e “të përgjegjshmëve”. Një qeveri e re mund të lindë nga hiri i asaj që sapo ra, me Italia Viva sërish brenda koalicionit, por me një riorganizim thelbësor të ekipit qeveritar. Prandaj në thelb, kryeministri mund të mbetet i njëjtë, por ministrat do të ndryshojnë. Padyshim që gjithçka varet nga Italia Viva:A do të pranojë Renzi të ketë akoma Conte-n në Palazzo Chigi?
Skenari nr.3:Mazhoranca mbetet e njëjtë, por ndryshon kryeministri
Kjo zgjidhje është ndoshta ajo që do të vlerësohej më shumë nga mbështetësit e Matteto Renzit. Pakënaqësia e tyre ndaj Giuseppe Conte dihet tashmë, dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, Presidenti i Republikës mund të caktojë një negociator, zakonisht një figurë institucionale me profil të lartë, që të verifikojë një shumicë të mundshme në parlament me synim ngushtimin e të çarave. Në këtë rast, do të digjet figura e Giuseppe Conte si një pretendent për të vijuar në postin e kryeministrit, ndërsa shumica aktuale do të mbetej e qëndrueshme.
Skenari nr.4:Qeveri me bazë të gjerë, me një kryeministër tjetër
Kjo është kërkesa e Forza Italia:një qeveri e unitetit kombëtar, për të shmangur zgjedhjet e reja, me kushtin e vetëm gjetjen e një emri të ri për kryeministër. Prandaj, ideja është që të zgjerohet në maksimum shumica nga e djathta në të majtë. Gjithsesi ky është një skenar kompleks, edhe për shkak se aleati i Forza Italia, LEGA është kundër këtij propozimi. Matteo Salvini, ka deklaruar se “nuk ia vlen t`a sigurosh jetesën me një supë qeveritare”. Qëndrime të ngjashme me ato të udhëheqëses së Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni. Në këto kushte, kreu i Forza Italia, Silvio Berlusconi duhet të thyejë aleancën e qendrës së djathtë për lindjen e një qeverie me bazë të gjerë.
Skenari nr.5:Do shkohet sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Askush nuk i dëshiron zgjedhjet në këtë moment. Prandaj, ky është në fakt skenari më pak i mundshëm. Por gjithsesi, është një mundësi që duhet marrë në konsideratë. Në fakt, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje tjetër, presidentit Mattarella nuk do t’i mbetet gjë tjetër përveçse ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al