Kriza plastike ka nevojë për një marrëveshje

schedule04:20 - 18 Janar, 2022

schedule 04:20 - 18 Janar, 2022

Ndotja nga plastika është një emergjencë globale që ka nevojë për një traktat të fortë të OKB-së, sipas një raporti. Agjencia e Hetimit të Mjedisit tha se ka një kaskadë dëshmish që plastika dëmton. Agjencia argumenton se kërcënimi i ndotjes plastike është pothuajse i barabartë me ndryshimin e klimës.

Ajri që thithim tani përmban grimca plastike, ka plastikë në borën e Artikut, plastikë në tokë dhe plastikë në ushqimin tonë. Në Tajlandë 20 elefantë ngordhën pasi hëngrën mbetje plastike në një vendgrumbullim plehrash sipas raportimeve të fundit. Autorët u bëjnë thirrje vendeve që të bien dakord për një traktat të OKB-së me objektiva detyrues për reduktimin e prodhimit dhe mbetjeve plastike.

Tom Gammage i Agjencisë së Hetimit të Mjedisit tha që “Ka një orë vdekjeprurëse që numëron me shpejtësi mbrapsht”. Ai tha gjithashtu që “Nëse kjo valë baticore e ndotjes vazhdon e pakontrolluar, plastika e parashikuar në dete deri në vitin 2040 mund të tejkalojë peshën kolektive të të gjithë peshqve në oqean”.

Kombet e Bashkuara kanë identifikuar tre kërcënime ekzistenciale mjedisore si ndryshimin e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen dhe kanë arritur në përfundimin se ato duhet të trajtohen së bashku. Marrëveshjet shumëpalëshe për humbjen e biodiversitetit dhe klimës ekzistojnë për gati 30 vjet raporton “BBC”. Ideja e një traktati të dedikuar të plastikës është kundërshtuar nga disa kombe vitet e fundit.

Por më shumë se 100 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, thuhet se favorizojnë një traktat që do të propozohet në Asamblenë e ardhshme të Mjedisit të OKB-së në shkurt dhe mars. Burimet thonë se opozita e drejtpërdrejtë po dobësohet, megjithëse ka një mosmarrëveshje se sa i rreptë duhet të jetë traktati dhe nëse ai duhet të jetë ligjërisht i detyrueshëm apo vullnetar. Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se tani mbështesin një marrëveshje globale, të cilës më parë i kishte rezistuar ish-presidenti Donald Trump.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse ai mund të fitojë miratimin nga Kongresi, pasi shumica e plastikës është prodhuar nga nafta dhe gazi dhe ato të dyja prodhohen në SHBA. Japonia thuhet se po përpiqet të pakësojë ambiciet e traktatit. Shtetet Arabe të Gjirit dhe Kina kanë heshtur deri më tani. Kina prodhon pjesën më të madhe të “plastikës së virgjër”, edhe pse SHBA dhe Britania e Madhe thuhet se janë prodhuesit më të mëdhenj të mbetjeve për person. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!