Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot paradite mbledhjen plenare të radhës nëpërmjet platformës online ku morën pjesë të nëntë anëtaret të Këshillit. KLP njofton se solidarizohet me qytetarët shqiptarë të prekur nga masat parandaluese për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Kështu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur në mënyrë unanime që të përgjysmojë pagën mujore të anëtareve.
Këshilli do të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Financave një shumë rreth 7,8 milionë lekësh nga fondi i pagave të cilat nuk do të shpenzohen për vitin 2020.
Gjithashtu Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi të miratojë tërheqjen nga kandidimi për t’u emëruar prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Anita Jella me kërkesë të saj dhe të deklarojë të përfunduar procedurën e ngritjes në detyrë për Jellan.
Si rrjedhojë, Këshilli vendosi të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e një vendi vakant për prokuror në Prokurorinë e Posaçme përmes procedurës së ngritjes në detyrë dhe të caktojë Komisionin e Posaçme për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të SPAK dhe të ndjekë e të zbatojë procedurat paraprake për plotësimin e kushteve nga kandidatët.
Shprehja e interesit duhet të dorëzohet jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga publikimi i shpalljes në faqen zyrtare të institucionit. /abcnews.al/