Kriza në Venezuelë, shteti i Brazilit kërkon të mbyllë kufirin

schedule14:37 - 22 Gusht, 2018

schedule 14:37 - 22 Gusht, 2018

Kriza ekonomike vijon të thellohet në Venezuelë, duke detyruar shumë qytetarë të largohen nga vendi. Për shtetasit që kanë arritur të kalojnë, Brazili do të ndërtojë kampe refugjatësh, ndërsa po mendon të mbyllë vijën kufitare.

“Është e nevojshme të hapet një kamp për refugjatët, nuk mund të lejohen këta njerëz të mbushin hapësirat boshe të Pacaraima. Nuk mund t’i lejojmë këta njerëz të qëndrojnë në rrugë dhe t’i kryejnë aty nevojat e tyre fiziologjike”. Sipas policisë braziliane, 460 Venezuelanë kalojnë kufirin çdo ditë në shtetin brazilian të Roraima dhe kandidati presidencial Jair Bolsonaro – në vendin e dytë në preferencat e brazilianëve – ka propozuar krijimin e një “kampi refugjatësh”.

Vetëm javën e kaluar ishin 1200 qytetarë venezuelianë të dëbuar nga qyteti i Pacaraima dhe OKB ka llogaritur se kriza ekonomike ka detyruar më shumë se dy milionë njerëz të ikin nga vendi, vetëm 500 mijë këtë vit. Sipas një studimi vjetor të kryer nga universitete të ndryshme në vend, 90% e venezuelanëve jetojnë në varfëri dhe mbi 60% pranojnë se zgjohen të uritur sepse nuk kanë para për të blerë ushqim të mjaftueshëm. Ndërkohë, presidenti Nikolas Maduro ka futur në qarkullim kartëmonedhat e reja private me pesë zero, të parashikuara nga plani për të kundërshtuar superinflacionin dhe për t’i dhënë një nxitje ekonomisë në krizë.

Ndërsa sipërmarrësit janë kritikë ndaj masës dhe qytetarët janë përballur me urinë dhe mungesën e produkteve, vendi duket i paralizuar. Tani kartëmonedha e re me vlerë më të madhe, nga 500 bolivarë, është e barabartë me 50 milionë bolivarë të monedhës së vjetër. Inflacioni ka shpërthyer, duke arritur në 82.7% në muajin korrik: një pulë, deri në futjen e monedhës së re, kushton mbi 14 milionë bolivarë (ekuivalent me pak më shumë se dy dollarë). Ndërsa për letrën higjenike duhen dy milionë e gjysëm bolivar.
Kjo është një situatë që shtyn më shumë qytetarë të Venezuelës të largohen nga vendi duke kaluar kufirin në Pacaraima. Në fakt shtetet e Brazilit që gjendet në pjesë e kufirit me Venezuelën kanë kërkuar që ushtria të bllokojë emigrantët dhe të mbyllë kufirin. Për këtë qeveria federale ka dërguar trupa të shumta në këto zona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!