Policia e Koresë së Jugut ka nisur hetimin e presidentit Yoon Suk Yeol për “kryengritje” të dyshuar pas shpalljes së tij të gjendjes ushtarake.
Yoon nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike që kur votimi urgjent në parlament e detyroi atë që të anulonte vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake dhe tashmë është nën presion për dorëheqje.
Partitë opozitare kanë paraqitur një mocion për shkarkimin e tij, i cili tani pritet të hidhet në votim të shtunën. Mocioni i opozitës ka nevojë vetëm për mbështetjen e tetë deputetëve të partisë në pushtet, por partia e Yoon thotë se do të bllokojë përpjekjet për ta detyruar atë.
Presidenti Yoon tha se do të shpallte ligjin ushtarak për të mbrojtur vendin nga “forcat komuniste të Koresë së Veriut”, por vëzhguesit thonë se ai po përballej me problemet e tij politike dhe po përpiqej të merrte pushtetin.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, i cili shumë pretendojnë se qëndron pas urdhrit të ligjit ushtarak të Yoon, ka dhënë dorëheqjen dhe ka kërkuar falje për përfshirjen e tij./abcnews.al