Kriza në Korenë e Jugut, opozita paraqet mocion për shkarkimin e presidentit

schedule07:45 - 4 Dhjetor, 2024

schedule 07:45 - 4 Dhjetor, 2024

Ligjvënësit e opozitës të Koresë së Jugut kanë filluar procedurat e shkarkimit të presidentit Yoon Suk Yeol pas përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak. Në një lëvizje të papritur, presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, duke shkaktuar reagime të ashpra në vend.

“Ne kemi paraqitur një mocion të përgatitur urgjentisht,” thanë përfaqësuesit e gjashtë partive opozitare, përfshirë Partinë Demokratike, në një konferencë për shtyp, raportojnë mediat e huaja.

Pas paraqitjes së mocionit të shkarkimit, Partia Demokratike opozitare dënoi vendosjen e ligjit ushtarak, si “sjellje kryengritëse”.

Pasi të miratohet shkarkimi, presidenti pezullohet menjëherë nga detyra, ndërsa kryeministri bëhet president në detyrë. Më pas do të mbahet një gjyq përpara Gjykatës Kushtetuese, një këshill prej nëntë anëtarësh që mbikëqyr degët e qeverisë së Koresë së Jugut. Nëse gjashtë nga anëtarët e gjykatës votojnë për të mbështetur shkarkimin, presidenti do të shkarkohet nga detyra.

Njoftimi vjen pas skenave dramatike gjatë natës, ku disa ligjvënës të opozitës thyen barrikadat dhe u ngjitën në gardhe për të shkuar në dhomën e votimit. Qindra trupa sulmuan parlamentin pasi Yoon shpalli ligjin ushtarak, ndërsa helikopterët ushtarakë qarkulluan në vend.

Njoftimi i tij i dytë, se presidenti po hiqte dorë nga urdhëri i mëparshëm, u prit me brohoritje nga protestuesit jashtë parlamentit të Koresë së Jugut.

Të mërkurën, ndihmësit e lartë të Yoon, përfshirë shefin e shtabit Chung Jin-suk dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Shin Won-sik, dhanë dorëheqjen e tyre. Është e paqartë nëse do të pranohen dorëheqjet e tyre./abcnews.al