Vetëm dy skudra të Superligës kanë vendosur ta zhvillojnë jashtë vendit, fazën përgatitore të dimrit. Kriza financiare detyron klubet që të shpenzojnë shumë më pak.
Ka kaluar pak më shumë se një vit, por ngjan si një shekull. Ku janë ato kohë të lavdishme, kur Skënderbeu bridhte kontinentin në Champions e në Ligën e Europës, dhe kur nuk kursehej as për fazën përgatitore të dimrit? Kampionët e Shqipërisë, tashmë në parametra shumë më modestë, kanë lajmëruar se stërvitjet e janarit do të kryhen në Shqipëri. Për fat, drejtuesit e klubit zotërojnë kompleksin në “Tropikal” në plazhin e Durrësit, pra shpenzimet do të jenë tepër të vogla.
Skuadra e trajnerit Orges Shehi do të bëhet gati për fazën e dytë të sezonit, duke u ndeshur me skuadra shqiptare, konkretisht me Tiranën në 9 janar, Bylisin dhe Teutën. Për korçarët kjo fazë do të zgjasë dy javë. Jo larg, por deri në janarin e kaluar, Skënderbeu është përgatitur në Spanjë, Portugali, Turqi, Slloveni apo Austri, në varësi të stinës, në verë apo në dimër. Dy skuadrat e vetme shqiptare që kanë guxuar të shpenzojnë janë Partizani dhe Kukësi.
Kryeqytetasit njoftuan zyrtarisht se të shtunën skuadra do të niset për në Antalia, për minifazën përgatitore. Qendrimi atje do të jetë deri në 15 janar, dhe parashikohen tre përgatitore, ndaj Sivassporit e Antaliasporit të Superligës turke, si dhe ndaj Shahtjorit të Karagandit nga Kazakistani. Kukësi shkon në Turqi pak më shpejt, që këtë të premte, ndërsa ka përcaktuar edhe ndeshjet përgatitore. Skuadra e Cungut do të ndeshet me Istanbul Bashaksehirin dhe me Rostovin, por nuk përjashtohet mundësia për ndonjë miqësore tjetër, në minifazën prej 12 ditësh.
Tirana nuk ka dhënë asnjë njoftim, por fakti se do të luajë miqësore në Shqipëri, do të thotë se nuk ka ndërmend që të lëvizë. Edhe Teuta, një skuadër ambicioze, ka lajmëruar se do të qendrojë në shtëpi, në Durrës. Kriza financiare duket se po e detyron Superligën që të bëjë një hap prapa, në pritje të kohëve më të mira./abcnews.al