Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pritet të miratojnë një paketë të re sanksionesh kundër Bjellorusisë të hënën, pas përshkallëzimeve të tensioneve gjatë javës së kaluar. Objektivi kryesor i sanksioneve do të jetë Belavia, kompania ajrore bjelloruse.
Kjo do të jetë paketa e pestë e sanksioneve pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020, rezultati i të cilave u kundërshtua nga opozita bjelloruse. Belavia do të jetë në shënjestër për rolin e saj të supozuar në transportimin e emigrantëve në Minsk, nga ku tre nga 27 shtetet anëtare të BE-së u transportuan në kufijtë me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
Mijëra emigrantë janë bllokuar në kushte gjithnjë e më të vështira në kufirin Bjellorusi-Poloni. Të shtunën, një grup prej rreth 50 emigrantësh arritën të shkatërrojnë një gardh dhe të enden për disa orë në territorin polak, derisa ata u arrestuan nga rojet kufitare. Emigrantët më pas u transportuan përsëri përtej kufirit në Bjellorusi, raporton abcnews.al
Zyrtarët europianë kanë diskutuar për sanksionet kundër Bjellorusisë prej disa ditësh. Procesi ka tërhequr vëmendjen edhe më shumë për faktin se pothuajse 50% e kompanisë së Belavia është në pronësi të kompanisë së avionëve me bazë në Irlandë.
Pas breshërisë aktuale të sanksioneve, nuk përjashtohet mundësia që BE të vendosë edhe sanksione të reja, të gjashtat me radhë, sipas burimeve diplomatike për Agjencinë Gjermane. Të njëjtat burime minimizuan gjithashtu kërcënimin e presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko për të ndërprerë rrjedhën e gazit rus në BE.
Bashkimi Evropian ka akuzuar Lukashenkon se po përpiqet të krijojë një krizë duke lëshuar viza për emigrantët dhe më pas duke i dërguar ata në Europë, si një hakmarrje ndaj Bashkimit Europian që vendosi sanksione ndaj Bjellorusisë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Zyrtarët europianë i kanë quajtur veprimet e presidentit bjellorus një “kërcënim hibrid”.
/abcnews.al