Arsenali po kalon një moment shumë të vështirë në kampionat. Vetëm 14 pikë në 13 javët e para janë statistika të një ekipi që lufton për mbijetesë. Ekipi i Mikel Artetës nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Southampton ditën e djeshme.
Braziliani Gabriel u largua me karton të kuq pas një ore lojë, duke ia vështirësuar gjithçka ekipit të tij. Trajneri spanjoll flet rreth situatës së vështirë, teksa analizon edhe ndeshjen me “Shenjtorët”, duke zbuluar edhe pengun që i mbeti.
“I kemi rregulluar disa gjëra në funksion të fitimit të ndeshjes, por sërish pësuam gol të parët. Lojtarët e mia, njësoj si tre ditë më parë, u treguan të aftë: shënuam një gol shumë të bukur dhe mund ta kishim fituar ndeshjen.
Gjithsesi, sërish i bëmë dëm vetes, dalja me të kuqe e Gabriel ndikoi, peshoi shumë. Jam tepër i zhgënjyer, sepse në atë moment po mendoja të nxirrja jashtë një qendërmbrojtës dhe të aktivizoja një sulmues në vend të tij.
Nuk arrita ta bëj si lëvizje, nuk pata kohë. Gjithçka përfundoi në barazim dhe, duke pasur parasysh rrethanat, na duhet ta pranojmë këtë rezultat“, deklaron Mikel Arteta. /abcnews.al