Kriza dhe roli i Rusisë në Ukrainë, Janullatos apel për bashkim: Skizma e re, koha thellon ndarjet

schedule18:00 - 10 Janar, 2022

schedule 18:00 - 10 Janar, 2022

Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos kërkon një takim me krerët e kishave për të kapërcyer përçarjen në Ortodoksi pas situatës së krijuar pas njohjes së kishës në Ukrainë nga Patriarku Bartolomeu i Konstandinopojës. Pas vendimit të Kishës Ortodokse Ruse për të krijuar një ekzarkat në Afrikë, që sipas Kishës Shqiptare do të jetë vazhdimi i krizës kishtare në Ukrainë, Anastasi bëri një apel publik.

“Që nga fillimi i krizës kishtare në Ukrainë, ne kemi theksuar me gojë dhe me shkrim se koha nuk i shëron ndarjet dhe përçarjet kishtare, por përkundrazi i thellon dhe i intensifikon ato. Vendimi i fundit i Patriarkanës së Moskës për të krijuar një ekzarkat në kontinentin afrikan konfirmon frikën fillestare. Në të njëjtën kohë, përçarja midis miliona ukrainasve të krishterë ortodoksë po krijon një ndarje të re në kontinentin e afrikan, ku misioni ortodoks është zhvilluar në dekadat e fundit” tha ai.

Sipas tij nuk ka një komunikim harmonik mes dy Patriarkanave, të cilat do të predikojnë ortodoksinë për afrikanët. Konkretisht, Anastas Janullatos u shpreh “Pretendimi se në Ortodoksi nuk ka përçarje, vetëm mosmarrëveshje, i ngjan teorisë se nuk ka koronavirus. Një çarje me shumë mutacione është e dukshme, dhe ka nevojë urgjente për trajtim dhe vaksinim, të cilat janë përcaktuar nga tradita apostolike – pajtimi”.

Janullatos kujtoi se në nëntor 2019 u dërgoi një thirrje të gjithë primatëve të kishave ortodokse për të kapërcyer polarizimin kishtar. Në këtë letër ai vuri në dukje “përparësinë absolute të detyrës së unitetit, nevojën e përdorimit të dialogut, shmangien e ndarjeve etnocentrike dhe përdorimin urgjent të parimit të sinodalitetit, mbi të cilin Kisha Ortodokse është bazuar në shekuj”. / Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!