Në kushtet e një krize globale energjitike, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku udhëzon qytetarët shqiptarë që të kursejnë energji.
Përmes një postimi në Facebook, Balluku shkruan se kursimi i energjisë është detyrë për çdo qytetar.
“Kursimi i energjisë elektrike në ditët e sotme, në kushtet e një krize botërore, është detyrë për çdo qytetar. Përpara se të dilni nga shtëpia sigurohuni që të gjitha dritat të jenë të fikura. Shmangni ndriçimin e panevojshëm, gjatë kohës që jeni në shtëpi”, shkruan Balluku.
Edhe vendet e rajonit po bëjnë thirrje për kursim energjie. Në Kosovë kanë nisur ndërprerjet e energjisë elektrike.
Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzha ka deklaruar se reduktimet po bëhen për shkak se furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe nuk ka mjete për të blerë energji elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë Maqedonia e Veriut prezantoi masat e reja për kursimin e energjisë, të cilat d të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori.
Masat e kursimit detyrojnë në radhë të parë institucionet dhe agjencitë shtetërore, ndërsa atyre të pushtetit vendor dhe kompanive private u rekomandohet të kursejnë energjinë. Autoritetet synojnë uljen e konsumit të energjisë elektrike me 15 përqind në krahasim me muajt e njëjtë të dimrit të kaluar./Abcnews.al/