Kritikat ndaj SPAK, KLP “qorton” Theo Jacobs: Institucionet e drejtësisë janë të brishta

schedule20:03 - 27 Korrik, 2020

schedule 20:03 - 27 Korrik, 2020

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar me një deklaratë zyrtare ndaj përfaqësuesit zyrtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jacobs pas kritikave të këtij të fundit se në SPAK ka prokurorë që nuk e meritojnë të jenë aty.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë thotë se është përpjekur të zgjedhë prokurorët e duhur për të qenë pjesë e SPAK.

Megjithatë ajo nuk e hedh poshtë deklaratën e Jacobs, por shprehet se institucionet e reja të drejtësisë janë të brishta dhe kanë nevojë për mbështetje.

Sipas saj, këto deklarata nuk duhet të bëhen publikisht pasi cenojnë imazhin e institucioneve, por të përmirësohen përmes trajnimeve të anëtarëve të tyre.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë (Këshilli) është njohur zyrtarisht me komentet e përfaqësuesit të ONM gjatë një seancë dëgjimore të mbajtur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në datën 17.07.2020 dhe reagimin publik të SPAK ndaj këtyre komenteve.

Kujtojmë se sipas Kushtetutës, Këshilli ka për detyrë të garantojë, midis të tjerash, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të republikës, përfshi prokurorët e SPAK. Për më tepër Këshilli është organ themelues i SPAK dhe mbikëqyrës sa i takon performancës dhe disiplinës së prokurorëve të kësaj strukture. Në këto kushte ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj deklaratave publike që lidhen me profesionalizmin dhe integritetin e prokurorëve të SPAK.

Ne jemi të vetëdijshëm së suksesi i SPAK varet, në rradhë të parë, nga cilësia dhe integriteti i prokurorëve të saj. Me këtë bindje, në një përpjekje për të përzgjedhur prokurorët më të mirë, ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent i cili zgjati plot 9 (nëntë) muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuam në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve.

Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella , kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës se vetting – ut. Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, e kanë kaluar këtë sprovë. Natyrisht që integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve të SPAK nuk verifikohet vetëm një herë. Eshtë detyra e Këshillit të sigurohet në vijimësi për garantimin e standardeve profesionale e etike të prokurorëve të SPAK. Në këtë kuadër të gjitha institucionet dhe publiku i gjerë janë të ftuar të ndihmojnë Këshillin në realizimin e kësaj detyre të rëndësishme.

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se SPAK është institucion i ri i cili, mishëron aspiratën dhe mundësinë tonë më të mirë si shoqëri për arritjen e drejtësisë shoqërore përmes goditjes penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me gjasë dy plagët më të thella të vendit. Në këto kushte, suksesi i SPAK, do të përcaktohet edhe nga imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku.

Pikërisht në funksion të garantimit të këtij besimi, pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë në asnjë vend të botës, deklaratat publike (qofshin edhe personale) që venë në dyshim integritetin dhe/ose profesionalizmin e prokurorëve janë të qortueshme pasi sistemi ynë ligjor ofron mjete dhe procedura të përshtatshme për trajtimin e cdo pretendimi që lidhet me profesionalizmin dhe integritetin e prokurorëve.

Cdo pretendim i këtij lloji nuk mund të trajtohet veçse në mënyrën e parashikuar nga ligji dhe në intitucionet e parashikuara nga ligji. Në të kundërtën çdo diskutim është i destinuar të jetë vetëm një opinion që vetëm cënon në mënyrë të padrejtë imazhin, edhe kështu të brishtë, të institucioneve të reja të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Jacobs./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!