Kritika kundër Viktor Orbanit në Bruksel dhe Budapest

schedule17:32 - 18 Tetor, 2024

schedule 17:32 - 18 Tetor, 2024

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban është një kritik i zëshëm i politikave të Bashkimit Evropian. Ai vonoi anëtarësimin e Suedisë në NATO, vendosi veton ndaj ndihmës për Ukrainën dhe nga muaji korrik, kur vendi i tij mori presidencën e radhës së BE-së, ai ndërmori një nismë të paautorizuar paqeje për sulmin rus kundër Ukrainës.

Thirrja e fundit e zotit Orban për një armëpushim në Ukrainë nxiti reagimin e shpejtë të presidentes së Komisionit Evropain.

“Bota ka parë mizoritë e sulmit rus. E megjithatë, disa ende nuk e fajësojnë pushtuesin, por të pushtuarin”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo kritikoi Hungarinë për bllokimin e ndihmës për Ukrainën, lidhjet e ngushta me Kinën dhe furnizimin e saj me energji ruse.

Në zyrën e presidencës hungareze të BE-së në Budapest, zëdhënësi Zoltan Kovacs i quan politikat e Brukselit ndaj Hungarisë hipokrite dhe të motivuara politikisht.

“Elementi politik është i qartë. Kjo nuk është një qeveri e majtë liberale. Ne jemi konservatorë shumë të sinqertë me pikëpamje të tjera, me një program tjetër politik”, tha zoti Kovacs për Zërin e Amerikës.

Ai tha se duke kritikuar qeverinë aktuale, BE-ja po minon vullnetin e popullit hungarez.

Ndërkohë, një raport i organizatës ‘Transparency International’ akuzon qeverinë hungareze se po shkatërron demokracinë, duke përfituar nga fondet e BE-së dhe duke pasuruar aleatët e tij përmes korrupsionit të përhapur.

Zoltan Tarr, anëtar i Parlamentit Evropian nga partia opozitare hungareze TISZA, thotë se veprimet e qeverisë së Kryeministrit Orban po dobësojnë Bashkimin Evropian.

“Bashkëpunimi i ngushtë me Rusinë, me Kinën në këtë formë nuk është i dobishëm. Po krijon pasiguri”, thotë zoti Tarr.

Ai thotë se si anëtare e BE-së dhe NATO-s, Hungaria duhet t’u përmbahet rregullave të tyre.

“Kjo ishte zgjedhja jonë, që do të duhej të nënkuptonte edhe zbatimin e rregullave, jo vetëm marrjen e përfitimeve nga anëtarësimi. Pra, për ne, është e rëndësishme që të jemi një partner besnik, i ndershëm”, thotë ai.

Gjatë vitit të kaluar, opozita në Hungari ka shënuar rritje të konsiderueshme. Pas pjesëmarrjes rekord në zgjedhjet e këtij viti, Partia TISZA siguroi 30 për qind të votave për zgjedhjet për në Parlamentin Evropian, e dyta pas partisë së zotit Orban, Fidesz.

“Ka një dëshirë të madhe për ndryshim dhe po ashtu ka shumë pakënaqësi dhe zemërim ndaj qeverisë”, thotë Andraz Racz nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ai dhe ekspertë të tjerë thonë se gjatë 14 viteve të fundit të qeverisjes së zotit Orban, Hungaria është kthyer në vendin e dytë më të varfër të Bashkimit Evropian pas Bullgarisë.

“Kjo ka të bëjë edhe me nevojat materiale të njerëzve që kërkojnë ndryshim, të cilët shpresojnë për një jetë më të mirë”, thotë analisti Racz.

Udhëheqësit e BE-së dhe opozita do të kenë mundësi të shprehin shqetësimet mbi të ardhmen e Hungarisë muajin e ardhshëm, gjatë një takimi të nivelit të lartë në Budapest të organizuar nga kryeministri hungarez./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!