Tifozët e Unionit të Berlinit e festojnë Krishtlindjen në mënyrën më origjinale në botë. Dhjetëra mijë prej tyre mblidhen çdo vit në stadium, në një kremtim që është bërë tradicional.
Kjo është Kisha jonë, këtu jemi më mirë se në kishë! Këto janë fjalët e disa prej tifozëve të Unionit të Berlinit, klubit gjerman të kategorisë së dytë, që ka krijuar një traditë krejt të veçantë.
Krishtlindjet në këtë pjesë të kryeqytetit të Gjermanisë festohen në stadium. Plot 28 500 njerëz ishin në impiantin e quajtur “Alte Fërsterai”, duke e mbushur në kapacitet të plotë, ndërsa kënduan këngët e lutjet e rastit me libra në duar, mbajtën qirinj, dhe ishin të veshur si Babagjyshi.
Moti i ftohtë nuk i pengoi aspak, as shiu që binte herë pas here. Madje, tifozët nuk u mërzitën as nga humbja e parë sezonale e pësuar nga skuadra e tyre e zemrës, 0-3 në fushën e Aues.
Unioni I Berlinit ka tashmë një traditë të shquar dhe krejt të veçantë me këtë kremtim. Gjithçka filloi 16 vjet më parë, në 2003, kur nismëtari Torsten Ajzenbajser mbajti festën e parë në prani të vetëm 89 personave.
“Jemi të lumtur që ndodhemi këtu, – shprehet ai, – kjo është shtëpia jonë, këtu mblidhen tifozët e Unionit të Berlinit, por edhe kushdo që ka dëshirë të festojë me ne”.
Tifozët unionist janë vërtet të veçantë. Ata njihen si lojtari i 12-të i skuadrës, dhe u bënë të famshëm kur dhuruan gjak për të shpëtuar klubin nga falimentimi, si dhe kur punuan në total 140 000 orë për të rindërtuar stadiumin, shtëpinë e tyre, që për Krishtlindje e kthejnë edhe në Kishë. /abcnews.al