Krishtlindjet në botë: Shpresa, optimizmi dhe lutjet për paqen

schedule09:26 - 25 Dhjetor, 2023

schedule 09:26 - 25 Dhjetor, 2023

Nga Australia në Ukrainën e shumëvuajtur, bota po feston Krishtlindjet, një nga ditët më të shenjta në kalendarin e krishterë. Është dëshira e të gjithëve që armiqësitë dhe dhimbjet të marrin fund menjëherë.

Të krishterët anembanë botës po përpiqen të lënë mënjanë shqetësimet dhe frikën për një botë të pasigurt dhe të shkatërruar nga lufta ndërsa përgatiten të festojnë lindjen e Jezusit.

Përpara se të kremtonte meshën e së dielës në Katedralen e Shën Patrikut në Nju Jork, kardinali Timothy Dolan u kujtoi adhuruesve të përfshinin Lindjen e Mesme të shkatërruar nga lufta në lutjet e tyre të Krishtlindjeve.

“Ndërsa presim Krishtlindjet, zemrat tona shkojnë gjithmonë për Tokën e Shenjtë,” tha ai, duke iu referuar pjesëve të Izraelit dhe territoreve palestineze.

“Toka e Shenjtë është e mbuluar nga retë. Toka e Shenjtë po vuan, Toka e Shenjtë është e mbushur me dhunë, urrejtje dhe ndëshkim. Dhe kjo po shkatërron gëzimin e Krishtlindjeve”.

Besimtarët në Siri u mblodhën në një vend që ende po vuan pasojat e një lufte të gjatë civile dhe bllokadës ekonomike mbytëse.

Pavarësisht dritave festive dhe dekorimeve të Krishtlindjeve që zbukurojnë shtëpitë dhe vitrinat e dyqaneve në kryeqytetin Damask, ngjarjet në Gaza dhe luftimet e vazhdueshme në disa pjesë të vendit kanë bërë që atmosfera festive të mos jetë e njëjtë.

Në Yabrud, një qytet në veri të Damaskut, adhuruesit u mblodhën në Katedralen e Shën Konstandinit dhe Helenës për të shijuar këngët e Krishtlindjeve të kënduara nga një kor nga kryeqyteti, raporton abcnews.al.

“Të gjithë duhet të përpiqen, me atë që Zoti u ka dhënë, të shpërndajmë gëzim për t’i dhënë fund këtij trishtimi,” tha anëtari i korit Fadi Homsi.

Në Australi, vizitorët dhe vendasit u dyndën në plazhin ikonik Bondi të Sidneit për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë në ditën e Krishtlindjes.

Evropa e begatë, kryesisht laike po feston në katedralet historike, në një klimë optimizmi, por edhe trishtimi për luftën në Gaza dhe dhunën e vazhdueshme në Ukrainën fqinje.

Vizitat në Këln u ndalën në katedralen historike të Gjermanisë dhe adhuruesit në prag të Krishtlindjeve u përballën me kontrolle sigurie ndërsa policia ka rritur kontrollin mes frikës për një sulm të mundshëm.

Megjithatë, zyrtarët u kërkuan njerëzve që të festojnë.

Në Austri, policia tha gjithashtu se kishte rritur sigurinë rreth kishave të Vjenës dhe tregjeve të Krishtlindjeve, me sa duket në përgjigje të të njëjtit informacion për një kërcënim të mundshëm.

Katedralja e lartë e Këlnit janë një destinacion kryesor turistik që vizitohet nga rreth 6 milionë njerëz në vit. Aty ndodhet Faltorja e Tre Mbretërve, një arkivol i zbukuruar me ar dhe argjend, që thuhet se përmban eshtrat e njerëzve të mençur të përshkruar në Dhiatën e Re si homazh për Jezusin

Komisionerja për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Europian, Ylva Johansson, paralajmëroi më 5 dhjetor se Europa po përballet me një “rrezik të madh sulmesh terroriste” gjatë festave të Krishtlindjeve për shkak të pasojave nga lufta midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

Ukraina po feston zyrtarisht Krishtlindjet si festë publike më 25 dhjetor për herë të parë pas ndryshimit të datës në përputhje me vendet e Europës Perëndimore. Presidenti Volodymyr Zelensky nënshkroi legjislacionin në korrik duke e zhvendosur festën në 25 dhjetor nga 7 janari, kur festohet nga Kisha Ortodokse Ruse dhe gjithashtu nga një nga dy kishat ortodokse rivale të Ukrainës.

Disa kisha ortodokse lindore vazhdojnë të përdorin kalendarin e lashtë Julian, sipas të cilit Krishtlindjet festohen 13 ditë më vonë. Në provincën lindore të Pakistanit, Punjab, të krishterët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga një turmë myslimane në gusht, festuan mes frikës në qytetin Jaranwala, raporton abcnews.al.

Të krishterët u larguan nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar sulmuesve. Ratan Bhatti, një banor i qytetit, tha se Krishtlindjet nuk do të festohen më si dikur.

Ishte një nga sulmet më shkatërruese ndaj të krishterëve në historinë e Pakistanit, ngjarje e cila u dënua ndërkombëtarisht.

Pakica, e cila është ndër më të varfrit e Pakistanit, po përballet me një atmosferë gjithnjë e më intolerante në kombin me shumicë myslimane, ku grupet radikale fetare dhe sektare janë bërë më të spikatura.

Në një fjalim në prag të Krishtlindjeve në vitin 1941, mbajtur 17 ditë pasi japonezët vranë më shumë se 2,300 amerikanë në një sulm të befasishëm në Pearl Harbor, Presidenti Franklin Roosevelt foli për festën e Krishtlindjeve në kohë lufte, raporton abcnews.al/

“Ka shumë burra dhe gra në Amerikë, burra dhe gra të ndershme dhe besnike që po pyesin veten këtë Krishtlindje: Si mund të ndriçojmë pemët tona? Si mund t’i japim dhuratat tona?’ tha dikur presidenti i atëhershëm amerikan, kur bota është në mjerim, për tu gëzuar për lindjen e Krishtit?

Deklarata e Roosevelt po bën jehohë 82 vjet më vonë në një botë që po “vlon” nga konflikit”. Dhimbja shënon Krishtlindjet e këtij viti. Tavolinat anembanë botës janë më të zbrazëta pasi njerëzit e dashur kanë humbur jetën në luftë.

Betlehemi ka anuluar festën e Krishtlindjeve këtë vit pasi “vendlindja” e Krishtlindjeve është zhytur në konflikt. Jezusi nuk erdhi në peizazhet e ëndrrave me dëborë të filmave tanë të preferuar, por në një botë kaq të shkatërruar si kjo sot.

Kjo është historia magjike që u ka dhënë shpresë të krishterëve për 2000 vjet.

Moske
Australi
Indi
Bregu Perëndimor
Brazil

Betlehem
Afrike
Bangladesh
Ukraina
Ukraina

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!