Krishtlindjet e brishta në kohë pandemie

schedule12:07 - 25 Dhjetor, 2020

schedule 12:07 - 25 Dhjetor, 2020

Është një prag Krishtlindjesh ndryshe nga çdo Krishtlindje tjetër që po përjetojnë shumë vende, të detyruara sot të festojnë me kufizime si pasojë e një sërë masash kundër pandemisë.

Koronavirusi ka shkaktuar më shumë se 1,7 milionë viktima në planet dhe vatra kontaminimi që vazhdojnë të rishfaqen pavarësisht mbërritjes së vaksinave të para, jeta nuk do të rikthehet menjëherë në normalitet.

 

Papa Françesku, i cili është në krye të 1,3 miliardë katolikëve në botë, mbajti meshën e natës së Krishtlindjeve në bazilikën e Shën Pjetrit në praninë e të paktën 200 besimtarëve, të cilët mbanin maska mbrojtëse, kryesisht punonjës të shtetit të vogël të Vatikanit.

Orari u vendos dy orë më herët, në orën lokale 19:30, për të zbatuar shtetrrethimin në fuqi në Itali, që fillon në orën 22:00. Para pandemisë, disa mijëra besimtarë dhe turistë kishin marrë një biletë të çmueshme për të marrë pjesë në këtë meshë papale.

Dje në mbrëmje, sheshi Shën Pjetër, i ndriçuar nga pema monumentale e Krishtlindjeve ishte plotësisht e shkretë dhe përshkohej nga një makinë policie.

Në fakt italianët, filluan dje një kufizim për festat, në vendin më të prekur në Europë nga virusi, me 71 000 viktima dhe më shumë se dy milionë persona të prekur nga COVID-19 që prej fillimit të pandemisë.

Mesha e natës së Krishtlindjes përkujton në traditën e krishterë lindjen e Jezusit nga Nazareti në Betlehem.

 

Papa argjentinas nënvizoi se lindja e një fëmije na kujtoi se nuk duhet ta kalonim kohën tonë duke qarë për fatin tonë, por duke ngushëlluar lotët e atyre që vuajnë, duke u shërbyer “të varfërve”.

“Por besimtarët të uritur për argëtim, sukses dhe mondanitet janë shpesh analfabetë të mirësisë”, u shpreh ai me keqardhje.

Në një letër mbështetëse drejtuar libanezëve të të gjitha besimeve dërguar për Krishtlindje, papa njoftoi gjithashtu se synonte të vizitonte sa më shpejt të ishte e mundur Libanin, i cili po përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe tensione.

Papa Françesku, i cili sapo ka festuar 84-vjetorin, do të dërgojë mesazhin e tij të tetë të Krishtlindjeve, me video brenda pallatit apostolik, për të shmangur grumbullimet në sheshin Shën Pjetër për ta parë atë si zakonisht në një lozhë.

Një meshë për shumë pak besimtarë ajo e drejtuar nga Patriarku i Jeruzalemit në Betlehem, në Kishën e Lindjes. Të pranishëm ishin vetëm priftërinjtë franceskanë. Mungonin pelegrinët dhe sidomos presidenti i autoritetit kombëtar palestines Abu Maze, i cili sipas traditës, çdo vit merr pjesë në fillim të meshës deri pas omelisë së patriarkut, për t’u larguar më parë se të tjerët.

 

Kori i katedrales së Notre Dam ka kënduar për herë të parë që nga zjarri shkatërrues i një viti më parë për një koncert special për Krishtlindje. Ata mbanin veshur helmeta dhe tuta mbrojtëse pasi katedralja është ende një kantier ndërtimi. Koncerti ishte regjistruar disa ditë më parë dhe u transmetua natën e Krishtlindjeve. Dioqeza e komentoi si një koncert shumë simbolik të karakterizuar nga emocioni dhe shpresa. Kori i Notre Dam mbante 60 koncerte në vit brenda katedrales, por që nga zjarri i 2019-ës është detyruar të këndojë në kisha të tjera të Parisit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku Covid shënon mbi 3 mijë viktima dhe mbi 220 mijë raste të reja 24 orët e fundit, dhe Krishtlindjet u shënua nga pandemia. Nga klubi i tij i golfit në Florida, presidenti në largim Donald Trump, gjithnjë e më i izoluar në kryqëzatën e tij për të përmbysur fitoren elektorale të Joe Biden, publikoi mesazhin e tij të urimit në Twiter. Miliarderi amerikan i shoqëruar nga bashkëshortja e tij e konsideroi si një mrekulli krishtlindjes nisjen e vaksinimit në masë, dhe pse të vonuar në kohë sipas tij.

Më informal dhe i qetë ishte Biden i cili tha se pavarësisht se si e festonin ai uronte të gjithë. Videoja e tij e urimit me dy qentë që luajnë nëpër dhomë ka marrë brenda pak minutash më shumë se 1 milion pëlqime.

Mbreti i Spanjës Felipe VI i bëri apel spanjollëve që të përpiqeshin për të tejkaluar dekurajimin dhe mosbesimin që vijnë nga pandemia; si dhe për një tejkalim të krizës ekonomike. Më pas ai i la fjalën babait të tij Huan Karlos i cili u shpreh se Spanja ka një popull i cili nuk tërhiqet dhe as dorëzohet në kohë të vështira.

 

Ndërkohë me mijëra kamionistë europianë kaluan Krishtlindjet në kushte të vështira të bllokuar në portin e Dover në Mbretërinë e Bashkuar, që po del ngadalë nga izolimi i shkaktuar nga një mutacioni i Covid-19./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!