Krimi bëri kërdinë në 10 ditët e fundit! 6 viktima nga atentatet dhe prishja e pazareve të drogës

schedule13:34 - 27 Shtator, 2020

schedule 13:34 - 27 Shtator, 2020

Nga Xhevahir Zhabina

Vetëm në 10 ditë në Shqipëri janë vrarë  6 persona. Gjithashtu  kanë ndodhur dy ngjarje mjaft të rënda të cilat mund të  konsiderohen si sulme terroriste pasi është rrezikuar jeta e qytetarëve, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me palët e përfshira në konflikt. Vetëm fati i ka shpëtuar ata nga plagosja apo humbja e jetës.  Ndërsa ngjarje te tjera banale sollën plagosjen e disa personave.

15 shtatori është një nga ditët më të rënda sa i takon cënimit të sigurisë publike, me 2 të vdekur e 1 i plagosur. Mëngjesin e kësaj ditë u ekzekutua në Rrogozhinë Klevis Kapllani. 31 vjeçarit i zunë pritë ndërsa po shkonte në shtëpi, në fshatin Sinaballaj. Autorët të cilët dyshohet të kenë qenë 2 i kanë bllokuar rrugën me disa ferra. Në kohën që ka ndaluar ndaj tij janë qëlluar 14 plumba. I riu ka vdekur në vend , ndërsa pistat hetimorë të ngritura janë disa, por të gjitha të çojnë në Elbasan dhe ngjarjet kriminale të ndodhura atje katër vitet e fundit.

Kapllani ka qenë  mik me Nuredin Dumanin i shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia të vrarë në Durrës në prill të këtij viti. Kjo vrasje e dyfishtë sipas hetimeve të deritanishme ka ndodhur për shkak të grabitjes së 6 milion eurove ndodhur në pistën e Rinasit 9 prillin e 2019 . Vëllezërit Haxhia kanë fshehur Talo Çelën i cili dyshohet se është një nga organizatorët kryesorë të super grabitjes. Përveç kësaj piste policia është duke hetuar edhe të kaluarën e Kapllanit pasi rezulton të këtë qenë i dënuar në Italia për trafik droge. Autorët ende nuk janë identifikuar.

Pasditja e 15 shtatorit ishte edhe më e rëndë. Policia njoftoi për një vrasje rreth orës 18.00 në zonën e Bathores në Tiranë, ku një grua kishte mbetur e vdekur. Jetmira Hasani u qëllua me armë zjarri për vdekje nga kunati Agron Tanushi. Autori u arrestua një ditë më pas në Lushnje dhe motiv i ngjarjes së rënde, ishte prona. Viktima pretendonte se i takonte banesa ku jetonte pas ndarjes nga bashkëshorti, vëllai i autorit. Në këtë rast policia arriti të zbardhë ngjarjen në kohë rekord dhe të arrestojë autorin.

Por nuk ishte e thënë 15 shtatori  të mbyllej me krimin në Bathore. 30 minuta pas plumbave ne Bathore, Tirana u trondit nga një shpërthim me tritol, ndoshta një nga ngjarjet me ë rënda të ndodhura vitet e fundit në qendër të kryeqytetit. Në një nga zonat më të populluara, pranë Urës së Selitës, shpërtheu rreth 500 gram tritol, i vendosur në një makinë. Objektiv i atentatit mafioz ishte Preng Gjini nga Rrësheni një emër i njohur për policinë për shkak se familja e tij ishte e lidhur me një zinxhir vrasjesh që kanë ndodhur në qytetin e vogël verior 4 vitet e fundit.

Ky konflikt ka prodhuar më herët edhe dy vrasje të ndodhura në Itali e Belgjikë. Mirëfilli, një akt terrorist,  për shkak se ndodhi në mes të Tiranës, në një kohë që rrugët ishin te populluara dhe shpërthimi ndodhi gjatë kohës që mjeti ishte në lëvizje. Grupi hetimor dyshon se ky atentat është pasojë e hakmarrjes me dy familjeve; Reçi dhe Gjini, që ka sjellë si pasojë 5 viktima, disa të plagosur dhe atentate të tjera të mbetura në tentativë. Konflikti mes palëve dyshohet se ka nisur në Itali për prishjen e pazareve në trafikun e lëndëve narkotike.

Policia thotë se ka një të dyshuar për këtë atentat por ende dhe sot nuk ka një të ndaluar. Mister autoret pavarësisht se ka pista hetimi. Pas këtyre zhvillime të datës 15 shtator foli ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ai tha se në atentatin ndaj Preng Gjinit policia mund të kishte menaxhuar mirë këtë situatë. Një ditë më pas, Sandër Lleshaj prezanton në Elbasan skuadrën Shqiponja të policisë  dhe ka një tjetër qëndrim për ngjarjen.

“Ngjarjet do ndodhin nuk kam thënë se policia dështoi” tha ai. Me t’u larguar Ministri i Brendshëm  nga Elbasani, e nesërmja në këtë qytet, nuk ishte e njëjtë me ditën e prezantimit të “Shqiponjave”. Në të gdhirë të 17 shtatorit një ekzekutim mafioz, ndodhi ne rrethrrotullimin e Bradasheshit. 50 vjecari, Bujar Çela, u vra. Sipas policisë ishte person pa probleme dhe pa koflikte në qytet, punonte si taksist. Faji i vetëm ishte se vëllai i tij është Talo Çela, personi më i kërkuar nga drejtësia shqiptare në këto moment. Ai është shpallur në kërkim për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, grabitjen e Rinasit i dhe dyshohet si autor i disa vrasjeve të ndodhura në aksin Elbasan-Peqin në 3 vitet e fundit.

Nga hetimet rezulton se Bujar Çela, nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin kriminal të të vëllait, por është vrarë për hakmarrje. Bujari, policia dhe institucionet e tjera që garantojnë sigurinë, mund të kenë harruar Talo Çelen, por rivalët jo.  E vranë vëllanë e Talos, kur ai po pinte kafen e mëngjesit pranë rreth rrotullimit të Bradasheshit në shoqërinë e një tjetër personi. Autori zbriti nga makina dhe qëlloi me 20 plumba duke e lënë të vdekur në vend.  Makina e autorëve u gjet e djegur disa orë më vonë, pa asnjë gjurmë të vlefshme për grupin hetimor. Ekzekutuesit dhe porositësit e atentatit mafioz ende nuk janë identifikuar,  por pistat që po ndiqen janë  publike. I ndodhur në një situatë të tillë ministri brendshëm Sandër Lleshaj foli serish për ngjarjet. Një ditë më vonë nga Gjirokastra tha se ato nuk mund të përmbysin rezultatet që janë bërë në sigurinë publike.

“Ngjarjet janë ngjarje, por ngjarjet nuk janë të atij niveli sa të përmbysin situatën. Pra duhet të bëjmë një dallim midis tablosë së përgjithshme të situatës së rendit dhe të sigurisë publike, e cila është duam apo nuk duam në nivelet më të mira historike. Se këtë e provojnë shifrat, të cilat janë publike tashmë, jo vetëm shifrat e publikuara nga ne, por edhe shifrat e publikuara në nivel ndërkombëtar. Ju këshilloj si gazetarë, sepse ju e dini që jeni hulumtues të mirë mund të konsultoni “Eurostatin” dhe të shihni se në cilat nivele është siguria dhe rendi publik në Shqipëri” tha ai.

Ministri pranon që në këtë mes shtatori kanë ndodhur 10% e vrasjeve të këtij viti por nuk është arsye për panik. “Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale. Kjo nuk na bën neve të humbasim toruan dhe të biem në panik”.

Darkën e 18 shatorit disa orë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm në Durrës një person u vra e një tjetër u plagos. Armando Baboçi 39 vjeç u ekzekutua me armë zjarri dhe djali 19 vjeçar u plagos. Gjithçka nisi pas një sherri banal të të Erald Gjinit, djalit të viktimës  me disa të rinj të nisur te berberi. Ata e goditen 19 vjecarin i cili njoftoi te atin, Armando Baboçi. Ky i fundit është konfliktuar me të rinjtë ndërsa dyshohet se Klodian Daci e qëlloi me armë. Policia arrestoi 5 persona nga të cilët dy u lanë në burg nga gjykata. Edhe në këtë rast policia arriti ta zbardhë ngjarjen në kohë rekord pasi ishte vetem nje konflikt casti.

Një ditë më pas në 19 shtator po në Durrës u vra me thikë një 34 vjecar. Idajet Dulla u qëllua për vdekje nga Arbër Kote, djali i ish-drejtorit të burgut të Durrësit. Përplasja mes tyre nisi për bllokimin e rrugës. Autori u konfliktua me viktimën pasi ky i fundit I kishte zënë rrugën dhe ai nuk mund të kalonte me autobusin me të cilin transportonte punëtorët e një fasonerie. Autori, Arbër Kote u arrestua një ditë më pas dhe shfaqi pendesë për krimin. Edhe në këtë rast prokuroria dhe policia e dokumentuan në kohë rekord ngjarjen dhe autori u prangos pa u bërë 24 orë nga krimi.

Seria e krimeve, kulmoi me 24 shtator në Elbasan, ku një 71 vjeçar terrorizoi lagjen 11 nëntori dhe alarmoi agjencitë e sigurisë. Autori qëllonte drejt policisë në një qendër të banuar dhe cdokush që kalonte në atë zonë ishte i rrezikuar me jetë.  Lefter Zhidru, pas një konflikti me gruan, u ngujua në shtëpi dhe për 5 orë i rezistoi policisë ndërsa qëllonte me kallashnikov ne drejtim te qytetareve. Dy të rinj u plagosën. Kur policia vendore nuk ja doli te vendoste nen kontroll situatën, në Elbasan zbarkoi  RENEA.

Negociatori i këtij reparti foli për më shumë se tre orë më Lefter Zhidrun i cili nuk pranoi të dorëzohej. Për të bindur te moshuarin u thirr dhe vajza e tij 14 vjecare por që edhe kjo tentative deshtoi. Pas 5 orësh RENEA u detyrua që të ndërhyjë dhe në kushtet e vetëmbrojtjes, ta eliminojë 71 vjeçarin pasi ai vazhdonte të qëllonte me kallashnikov, ndërsa në banesë kishte dhe kallëpe tritoli dhe municion. Këto detaje tregojnë se Zhidru nuk kishte ndërmend të dorëzohej madje përbënte rrezik serioz për policinë dhe banorët. Por ajo që është shqetësuese në këtë ngjarje është se agjencitë e sigurisë si policia dhe shërbimi informativ, nuk kanë informacion për këtë arsenal armësh që i moshuari mbante në banesë pavarësisht se ai ishte person problematik në lagje.

Në të gjitha këto krime, vërehet se policia dhe prokuroria arrijnë të dokumentojë e të zbulojë shumë shpejt vrasjet banale apo familjare. Përsa i përket parandalimeve, autoritetet e rendit paraqesin si argument mungesën apo tërheqjen e denoncimeve nga qytetaret. Ndërkohë në hetimin e atentateve mafioze të organizuara nga grupe kriminale që kanë aktivitet të theksuar në trafikun e drogës dhe krimet kundër jetës ka ngërç. Pistat janë aty, por prokuroret dhe policia e kanë shumë të vështirë ti përkthejnë në prova këto indicie. Kjo bën që saga të ndryshme vrasjesh të vazhdojnë prej vitesh në Elbasan, Shkodër, Rreshen, Durrës apo Vlorë.

Skeda e vrasjeve në Shtator

Klevis Kapllani          15 shtator Rrogozhinë

Jetmira Hasani         15 shtator Kamëz

Preng Gjini               15 shtator  Tiranë

Bujar Çela                 17 shtator Elbasan

Armando Baboçi      18 shtator Durrës

Idajet Dulla               19 shtator Durrës

Lefter Zhdriu             24 shtator  Elbasan

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!