Krijohet njësia ‘K’, Lleshaj: Do kapë ata që i janë shmangur drejtësisë prej 30 vitesh që janë strukur në Amerikë

schedule20:38 - 3 Shtator, 2020

schedule 20:38 - 3 Shtator, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Berati ka deklaruar se është krijuar edhe një tjetër njësi në luftën kundër krimit. Ai u shpreh se është ngritur Njësia e re Operacionale ‘K’ që do të shërbejë për kapjen e personave në kërkim, që i janë shmangur drejtësisë prej më shumë se 30-vjetësh.

Kemi 12 ekipet “Shqiponja” të reja në ҫdo Qark. Pastaj kemi shtuar Njësinë “E”, që është Njësia e luftës kundër krimit ekonomik, e cila ka për mision të përballojë ose të luftojë krimin në fushën ekonomike dhe financiare, duke u përqendruar tek pastrimi i parave, tek evazioni, tek figura të tjera të krimit. Pastaj një kapacitet tjetër shumë i rëndësishëm i shtuar së fundmi në Policinë e Shtetit është Njësia “K”, njësia që ka për mision kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë.

Në harkun e 30 viteve të fundit, një numër jo i vogël keqbërësish dhe kriminelësh, i janë shmangur drejtësisë; përmes arratisjes, përmes largimit nga vendi, përmes fshehjes. Një pjesë e tyre kanë dalë edhe jashtë vëmendjes në harkun e këtyre viteve. Ndërkohë që me krijimin e kësaj njësie të re, ne kemi marrë përsipër të adresojmë këtë kategori.

Kjo njësi është tashmë e anëtarësuar në rrjetin europian të njësive homologe që merren me kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë. Dhe në bashkëpunim me to, në kuadër të një programi të mirëmenduar dhe të mirëkoordinuar, po merret me kërkimin e personave, të cilët kanë llogari për të dhënë para drejtësisë shqiptare, por që ndërkohë janë strukur, janë fshehur, apo janë edhe hapur rrugëve të Europës, Amerikës e më gjerë, me synimin për t’i sjellë, për t’i ballafaquar me krimin e tyre dhe për t’i ballafaquar me drejtësinë në Shqipëri.

Duke dhënë kështu mesazhin që edhe mund të vonojë, por kurrë nuk do të harrojë dhe kushdo që ka llogari për të dhënë ose për të shlyer me drejtësinë do të duhet ta japë atë. Dhe rezultatet e kësaj njësie janë të dukshme. Kanë filluar tashmë që të dëgjojmë edhe raste kështu disi absurde, që një person i dënuar para 30 vitesh kapet tani.

Dhe nga fotoja e një djali të ri, sot Policia e gjen në një moshë të thyer, pothuajse të thyer. Por gjithësesi është sinjali i duhur ndaj të gjithë atyre, të cilët ende nuk e kanë shlyer dënimin para drejtësisë. Një njësi tjetër është njësia “I“, njësia e ngarkuar me inteligjencën, me mbledhjen, përpunimin, analizën e informaconit policor në funksion të qëllimit për ta” tha ai.

Ai u ndal edhe te performanca e policisë së shtetit në shifra. “Që nga viti 2013, numri i forcave të Policisë së Shtetit është rritur me 13 dhe kjo është përkthyer me rënie të ndjeshme të treguesve të kriminalitetit në vend dhe është përgjysmuar numri i vrasjeve në vend. Vetëm 2-vitet e fundit janë shtuar 700 efektivë të rinj në forcat e policisë dhe kemi 12 njësi operacionale,të shpërndara në cdo qark” tha ai.

Deklaratën Lleshaj e bëri gjatë prezantimit të Njësisë së posacme Operacionale të forcave Shqiponja që krijohet rishtaz në qarkun e Beratit. “Kjo bëhet për të rritur kapacitetet e Policisë së Shtetit në shërbim të rendit dhe sigurisë publike. Ne jemi të bindur se investimi në fushën e  sigurisë është investim në themelin e shoqërisë sonë, për një jetë sa më normale të qytetarëve të këtij vendi” tha ai.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu tha se “Qarku Berat në tërësi është një qark me kriminalitet të ulët, për 8 muaj ka vetëm një vrasje, asnjë tentativë vrasjeje, asnjë vjedhje me armë e dhunë dhe kjo falë përkushtmit dhe punës profesionale në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit në çdo fushë që ai shfaqet” tha ai. d.b/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!