Disa ekspertë nga Universiteti i Anglisë Lindore kanë krijuar një aplikacion që parashikon jetëgjatësinë e njeriut si dhe rrezikun e sulmit në zemër në 10 vitet e ardhshme, sipas “The Sun”. App-i përdor informacione të tilla si pesha, gjatësia, gjinia dhe presioni i gjakut për të përcaktuar cilësinë e jetës dhe vitet që i kanë mbetur një personi.
I quajtur “MyLongevity”, aplikacioni gjithashtu merr parasysh zonën në të cilën jetojnë, si dhe nëse vuajnë nga sëmundjet e tilla si diabeti, kolesteroli i lartë dhe artriti reumatoid. Përdoruesit duhet t’ju përgjigjen dy grupe pyetjesh: informacioni bazë mbi moshën, gjininë, peshën etj, si edhe pjesa tjetër përfshin informacion mbi problemet shëndetësore që kanë patur, shkruan abcnews.al.
Një ndër studiueset, Elena Kulinskaya tha se ky aplikacion “mund t’i ndihmojë gjithashtu njerëzit të rrisin jetëgjatësinë e tyre duke përmirësuar jetesën në mënyrë të shëndetshme.” Kulinskaya shtoi se ka faktorë kryesorë që ndikojnë tek jetëgjatësia si stili i jetesës, kushtet dhe ndërhyrjet mjekësore. /xh.d/abcnews.al