Krijimi i grupeve parlamentare, aleatët sytë nga Basha

schedule15:47 - 8 Shtator, 2021

schedule 15:47 - 8 Shtator, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Të premten, aleatët e Lulzim Bashës do të ngjisin shkallët e Parlamentit, dy vite pasi vendosën djegien e mandateve. Por edhe përse kanë kaluar 4 muaj nga disfata e 25 prillit, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule nuk janë thirrur në një takim nga Lulzim Basha për të koordinuar jo vetëm aksionin opozitar, por edhe marrëdhënien e re që do të kenë me parlamentin.

Prej disa ditësh, aleatët e Bashës kanë intensifikuar takimet mes tyre për krijimin e një grupi parlamentar, jashte atij të Partisë Demokratike. Rregullorja e Parlamentit parashikon që për krijimin e një grupi parlamentar, do të duhet që 7 ligjvënës të shprehin vullnetin për të qenë bashkë.

Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu ka dakordësuar tashmë me Agron Dukën, Dashamir Shehin dhe Vangjel Dulen për të qenë pjesë e të njëjtin grup parlamentar. Por do të duhet që Lulzim Basha t’i jap dritën jeshile të paktën 3 ligjvënësve të tij që të bashkohen me aleatët e tij në mënyrë që grupi parlamentar të krijohet.

Në zgjedhjet e 25 prillit, me bekimin e PD, 3 kandidatë të PD, të cilët më pas rezultuan fitues u regjistruan nën logon e PR. Ato janë 2 ligjvënëset e Lezhës, Lindita Metaliaj dhe Elda Hoti si dhe kandidatja e renditur e dyta në Fier, Eralda Bano. Nëse kryedemokrati do të jap dritën jeshile për këto tre ligjvënëse, PR do të kishte mundësi të krijonte grupin e dytë parlamentar në rradhët e opozitës. Në pritje për një përgjigje nga Lulzim Basha është edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili fitoi tre mandate në 25 prill dhe do t’i duhet të marrë borxh demokratëve 4 deputetë për të pasur grupin e tij parlamentar. Edhe LSI është në pozita pritëse për krijimin e një grupi të ri parlamentar. Në një intervistë për ABC, nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili u shpreh se kjo forcë politike do të bëj opozitë të ndarë nga demokratët. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!