Kreu i SPAK: E di që njerëzit presin rezultate, por duhet kohë

schedule15:09 - 3 Mars, 2020

schedule 15:09 - 3 Mars, 2020

Struktura e re e drejtësisë ka shumë sfida përpara derisa të arrijë aty ku duhet sa i përket formimit të saj. Të paktën kështu është shprehur kreu i SPAK, Arben Kraja.

Duke folur në konferencën “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi”, Kraja u shpreh, ndër të tjera, se ka shumë sfida dhe problematika të cilat mund të zgjidhen nëse ka bashkëpunim.

Kreu i SPAK u shpreh:

“….Sfidat kryesore kanë të bëjnë me pastrimin e produkteve të veprës penale, hetimin e aseteve kriminale, me krimin financiar në përgjithësi. Pavarësisht se jemi prokurori me Kushtetutë të pavarur, jemi të pavarur në vendimmarrje, jo në metodika, qëllime, jo në objektiva. Kemi nevojë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Prokuroria e Përgjithshme ka asete, një eksperiencë që ne kemi nevojë ta shfrytëzojmë, pa i cenuar vendimmarrjen askujt nga prokurorët. SPAK është strukturë e re, është një nga reformat e drejtësisë. Akoma nuk është aty ku duhet nga pikëpamje e formimit të saj. Fillimi është i mirë, ka shumë sfida përpara, me plotësimin e strukturës, me ngritjen e strukturës nga pikëpamja administrative dhe funksionale, por kryesoja ka të bëjë me rritjen e rezultateve konkrete në hetim.”

Më tej Kraja shtoi se njerëzit presin rezultate por, sipas tij, këto të fundit duan kohën e duhur ndërsa kërkoi që kjo të kuptohet nga ta.

Ai vazhdoi më tej:

“Të gjithë njerëzit presin rezultate por dua t’iua garantoj diçka se prokurorët e SPAK janë jo vetëm të pavarur por edhe të përgjegjshëm. Kjo do të thotë se kur të merret një vendim do të jetë i matur dhe bazuar në prova, si edhe nuk do të ketë diskutime të mëtejshme. Kjo kërkon kohën e duhur, këtë duhet ta kuptojmë njerëzit. Hetimet kërkojnë edhe 2-3 vite. Nuk do jemi në këtë histori por do të jemi konkret në kohën e duhur, këtë jua garantoj këtë sepse gjithë prokurorët e kanë këtë objektiv tek vetja. Ajo që duhet të bëjmë është t’u garantojmë kushtet.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!