Kreu i LDK kërkon shkarkimin e Sveçlës: Gjuha e tij kërkon dhunë e krizë

schedule14:45 - 15 Korrik, 2023

schedule 14:45 - 15 Korrik, 2023

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku reagoi ndaj deklaratës së sotme të ministrit Xhelal Sveçla, i cili protestën e veteranëve e lidhi me luftën hibride nga Serbia.

Ai theksoi se gjuha e ministrit të Punëve të Brendshme kërkon përplasje, dhunë e krizë. Ndër të tjera, ai kërkoi shkarkimin e Sveçlës, duke shtuar se Kosova meriton më mirë.

“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë. Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë.

Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë. Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak. Kosova meriton më mirë. Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend.”, shkroi Abdixhiku në Facebook./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!