Në Komisionin e Ligjeve sot ka qenë radha e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi për të raportuar mbi ecurinë e institucionit që ai drejton për vitin 2020.
Ibrahimi tha se KLP është e përkushtuar për të përmbushur boshllëqet e lëna pas nga procesi i Vettingut.
Ibrahimi ka risjellë në vëmendje se SPAK ka 13 anëtarë deri më sot dhe është vetëm 2 anëtarë larg organikës fillestare të miratuar fillimisht nga KLP.
Sipas Ibrahimit Vettingun që bëhet në shkollën e Magjistraturës për studentët e është si një Vetting i vogël.
‘’Lidhur me axhendën dhe çështjet që priten të trajtohen, në 2020 kemi miratuar strategjinë e komunikimit, dokument që u hartua në bashkëpunim me institucionet partnere. Besojmë do na shërbejë për platformë për më mirë. Edhe në nivel të detyrave si kryetar i KLP kam kryer një tur vizitash në të gjitha zyrat, thuajse, në të gjitha zyrat e Prokurorive të Shqipërisë. Kam përcjellë edhe mënyrën e punës së KLP, aspektet që janë të rëndësishme. Sa i takon rekomandimit për forcimin e bashkëpunimit me organet e drejtësisë, kemi koordinata të qarta si Prokurori i Përgjithshëm, pasi ne bashkëqeverisim sistemin. Dua të bëj një propozim që dhe këto seanca të çiftohen, Prokurori i Përgjithshëm me KLP, sesa KLP me KLGJ.
Politikat tona të punës për administrimin e punës së prokurorëve, që janë dhe prurjet e prokurorëve që vijnë në sistem, vakancat e kështu me radhë, këto praktika pune bazohen tek të dhënat zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Duke pasur parasysh që të dhënat që jep Prokurori i Përgjithshëm jepen mbi baza vjetore. Kur kryejmë lëvizje, transferime, ngritje në detyrë, i azhornojmë.
Në këtë kuptim do thosha që marrëdhënia jona më organin tjetër ka qenë e rrjedhshme. Sa i përket bashkëpunimit me shkollën e magjistraturës, vura re se ishte objekt i një pyetje nga ju. Konsiston që në çastin e parë, kur marrim një vendim lidhur me numrin e kandidatëve për prokurorë që të duhet të pranojë shkolla e Magjistraturës.
Vettingun që bëjmë ne me shkollën e Magjistraturës për studentët e quajmë Vetting të vogël. Jemi gjithmonë e më shumë të ngjashëm me Vettingun e madh. Janë 32 adresa ku kërkojmë informacion. Është një kërkim masiv sa i takon sasisë së informacionin që grumbullojmë. Analizimi është punë e thelluar. Ka ndodhur në 3 raste që KLP ka ndaluar futjen në shkollën e Magjistraturës kandidatëve që e kanë kaluar testin profesional. Ky proces vjen duke u bërë edhe më ekzigjen, derisa i japim shoqërisë shqiptare pavarësisht kalimit të vettingut kalimtar, institucionet do japin një vetting permanent edhe për ata që bëjnë karrierë në drejtësi.
Besoj që mund të them, me besim të lartë që ne duhet të jemi në gjendja ta zëvendësojmë boshllëkun e Vettingut që prurjet e reja të jenë të pastra.
Ndoshta një ide tjetër mund të ishte që vendimet e KLP dhe KLGJ sa i takon ndalimeve të pranimit të shkollës së Magjistraturës të ishin finale, jo objekt i gjyqësorit. Shohim sa e panatyrshme është që Gjykatat t’i futen brendisë së vendimeve të KLP, ndërkohë që atyre u mungon ekspertiza.
Për bashkëpunimin me ministrinë e drejtësisë, KLP ka bashkëpunuar qoftë në nivelin e hartimit të strategjive ndërsektoriale, qoftë forumet ndërkombëtare sa i përket integrimit. Një tjetër ka qenë procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK. Vendimi i parë ishte ai i KLP, vendosëm që 15 anëtarë do ishin të mjaftueshëm për SPAK. Mirëpo nuk ia dolëm asnjëherë, sepse ligji kërkonte që vetëm prokurorët që kishin kaluar dy shkallët e Vettingut mund të emërohen. Ne kemi ecur drejt objektivit, emëruam 2 prokurorë të rinj në SPAK, dhe tre vakanca në SPAK gjatë 2020, për shkak të 2 dorëheqjeve e një prej emërimit të ish-kandidatit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Arritëm të emërojmë 3 prokurorë të SPAK duke e çuar në 13. Këto kanë ndodhur në 2020. SPAK është vetëm 2 pozicione larg organikës fillestare të miratuar nga KLP. SPAK ka ndërvepruar me Kuvendin, dhe ishte për rritjen e organikës deri në 20. Për këtë kemi ecur në 2021.
Ne ndihmojmë që organet e vettingut të kryjnë vlerësimin e një prej tre kritereve, jemi përgjegjës edhe për shortet. Sa për bashkëpunimin me ILD, nuk ka munguar një numër ankesash të ardhura gabimisht në adresë tonën, pastaj me krijimin e ILD u kaluan atje, gjatë 2020 kemi verifikuar vetëm një rast dhe e rrëzuam atë kërkesë.
Sistemi në të ardhmen duhet të ofrojë përgjegjësi’’- tha Ibrahimi.
RAPORTI PËRMBLEDHËS I VEPRIMTARISË SË KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË 2020
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (më tej, KLP), në zbatim të nenit 181, të Ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, ka detyrimin të raportojë para Kuvendit jo më pak se një herë në vit.
Gjatë vitit 2020, KLP ka raportuar në mënyrë të pjesshme në muajin Maj 2020, ashtu sikurse ka raportuar në mënyrë të thelluar, lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, me Rezolutën e miratuar më 25.06.2020, “Për raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019”, për periudhën Janar-Shtator 2020.
Raporti për veprimtarinë e KLP, për vitin 2020, është mbështetur në Vendimin nr. 134/2018, “Për miratimin e Manualit të Monitorimit Vjetor dhe Periodik, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet se institucionet e pavarura referojnë në këtë manual gjatë ndjekjes dhe zbatimit të Vendimit nr. 49/2017. “Për krijimin e mekanizmit të përbashkët për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj”.
Gjithashtu, ky raport mbështetet edhe në rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me anë të Rezolutës “Për raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019”.
Në raportin e veprimtarisë për vitin 2020 jepet informacion i detajuar mbi veprimtarinë e KLP gjatë këtij viti, duke patur parasysh vështirësitë e krijuara prej muajit Mars 2020, pas shpalljes së gjendjes së pandemisë COVID-19 në vend.
Në kapitullin hyrës të këtij raporti, përshkruhet përmbajtja aktuale e KLP, organizimi i mbledhjeve plenare dhe akteve nënligjore të miratuara gjatë këtyre mbledhjeve, dhe një vështrim përgjithësues të çështjeve që trajtohen në raport.
Deri më datë 04.03.2020, KLP ka zhvilluar mbledhjet plenare me prezencën e anëtarëve dhe përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, OSBE, misionet ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT, duke ndjekur rregullat procedurale të përcaktuara në nenet 164-167, të Ligjit për Qeverisjen, më tej këto mbledhje janë zhvilluar nëpërmjet platformës online.
KLP ka zhvilluar gjithsej për vitin 2020, 41 mbledhje plenare, ndër të cilat 8 seanca janë kryer me anëtarët e pranishëm fizikisht, 26 seanca plenare nëpërmjet platformës online dhe 7 seanca plenare nëpërmjet vendimeve qarkulluese, gjë që ka lejuar veprimtarinë normale të këtij institucioni. Gjatë këtyre mbledhjeve janë marrë 343 vendime gjithsej.
Në Kapitullin e dytë të këtij raporti, flitet për veprimtarinë e komisioneve të përhershme dhe komisioneve të tjerë. Ashtu sikurse e përcakton neni 160, i Ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në përbërje komisionet e përhershme si më poshtë:
Komisioni i Planifikimit Strategjik, i Administrimit dhe Buxhetit;
Komisioni Disiplinor;
Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale;
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës.
Komisioni i Buxhetit, në raportin e tij, sqaron marrjen e masave në lidhje me planifikimin me eficencë dhe efektivitet të fondeve buxhetore për vitin 2020 dhe miratimin e kërkesave buxhetore për vitin 2021-2023, ku theksohet se gjatë vitit 2020, KLP ka pasur një realizim pozitiv të treguesve të performancës buxhetore, duke treguar se ka mirëfunksionuar planifikimi që Komisioni i Buxhetit ka parashikuar në kërkesat e tij.
Raporti i këtij komisioni përfshin gjithashtu të dhëna mbi realizimin e buxhetit, kërkesat buxhetore në raport me tavanet e miratuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, çështje infrastrukturore etj.
Komisioni i Vlerësimit, në raportin e tij, sqaron se ky komision kryen vlerësimin e magjistratëve 1 herë në 3 ose 5 vjet, sipas viteve të përvojës, sipas parashikimeve të Ligjit për Qeverisjen dhe Ligjin për Statusin, mirëpo, gjatë vitit 2020, kjo veprimtari bazë nuk është ushtruar. Të gjithë prokurorët e Republikës janë vlerësuar nga Prokurori i Përgjithshëm gjatë viteve 2013-2016, vite që i përkojnë kohës së rivlerësimit kalimtar të tyre.
Nga ana tjetër, KLP dhe Komisioni i Vlerësimit ka qenë i ngarkuar si organ ndihmës në rivlerësimin kalimtar të prokurorëve, në bazë të Ligjit për Rivlerësimin.
Raporti shprehet se, Komisioni i Vlerësimit ka kryer procesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës. Pas përfundimit të këtij procesi verifikimi, KLP vendosi përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për 25 kandidatë në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021. Për 2 kandidatë të tjerë, pritet të merret vendim nga ana e KLP përgjatë vitit 2021.
Gjithashtu, sipas raportit, Komisioni i Vlerësimit gjatë vitit 2020, ka kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët magjistratë të cilët shprehën dëshirën për t’u komanduar si Inspektorë pranë ILD. Gjatë vitit 2020 u arrit të miratohej raporti për tre kandidatë nga 6 që shfaqën interes. Dy kandidatë hoqën dorë nga gara dhe për një kandidat, raporti do të miratohet në mbledhjen e parë të KLP në vitin 2021.
Gjatë vitit 2020, Komisioni i Vlerësimit ka kryer edhe verifikimin e pasurisë dhe figurës për 4 kancelarët në detyrë respektivisht të Prokuroritë e Tiranës, Korçës, Elbasanit dhe Vlorës.
Gjithashtu, në këtë raport flitet për veprimtari të tjera si: veprimtaritë jashtë funksionit, lejet e papaguara të prokurorëve etj.
Sa i përket Komisionit të Karrierës, në raport evidentohet se ky komision ka përdorur instrumentin e caktimit të përkohshëm, vetëm në ato raste kur caktimi i përkohshëm i një prokurori në cilësinë e Drejtuesit, apo të prokurorit në prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm apo në nivel apeli, ka qenë domosdoshmëri, duke shpjeguar se mungesa e akteve nënligjore për lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë, ka pamundësuar zhvillimin e garave për plotësimin e përhershëm të vendeve vakante. Këto akte nënligjore priten të miratohen gjatë vitit 2021, duke qenë se janë në proces hartimi dhe konsultimi në Grupet e Punës.
Sipas këtij raporti, nga një analizë e gjendjes aktuale të burimeve njerëzore (Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroritë e Apelit dhe Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë), rezulton si më poshtë:
19 prokurorë janë të caktuar përkohësisht si drejtues, përkatësisht 12 drejtues në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe 7 drejtues të Prokurorive të Apelit;
27 prokurorë gjithsej rezultojnë të caktuar përkohësisht në pozicione të ndryshme (drejtuese ose jo) në të gjitha shkallët e Prokurorisë me vendim të KLP.
Nga këta, 8 prokurorë nuk e kanë emërimin pranë prokurorisë ku ushtrojnë detyrën me caktim të përkohshëm. Pjesa tjetër e kanë emërimin në prokurorinë pranë së cilës janë caktuar përkohësisht në pozicionin e drejtuesit.
Në këtë raport përcaktohet se Komisioni i Karrierës ka emëruar dhe caktuar në pozicion 12 prokurorë të rinj, si dhe ka propozuar numrin e kandidatëve për t’u pranuar në programin fillestar të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021 etj.
Gjithashtu, pjesë e raportit të Komisionit të Karrierës është edhe vlerësimi i kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, duke e çuar numrin e përgjithshëm të prokurorëve efektive në këtë strukturë në 13 nga 15 gjithsej.
Në këtë raport jepet gjithashtu informacion mbi veprimtarinë e Komisionit të Disiplinës. Pranë KLP, është paraqitur për procedim disiplinor nga ILD gjatë vitit 2020, çështja më poshtë vijon:
Kërkesa Nr. 251/31, datë 21.07.2020, e ILD “Për fillimin e procedimit disiplinor ndaj një magjistrati me detyrë prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë”.
Ky raport shpjegon se, procedimi i sipërcituar, përbënte një sfidë për punën e Komisionit të Disiplinës, përveç faktit që ishte procedimi i parë dhe praktika në këtë drejtim mungonte, por edhe duke qenë se u zhvillua në kushtet ku nuk ishte miratuar ende rregullorja mbi funksionimin e komisionit disiplinor në zhvillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve.
Rregullorja “Mbi organizimin dhe funksionimin e komisionit disiplinor dhe përcaktimin e procedurave të zhvillimit të procedimit disiplinor ndaj prokurorëve” u miratua brenda vitit 2020 dhe pritet që procedimi i radhës, njoftuar nga ILD që prej muajit Korrik 2020, të jetë më i qartësuar proceduralisht.
Gjithashtu, gjatë vitit 2020, Komisioni i Disiplinës në bashkëpunim me Sektorin e Marrëdhënieve me Publikun, ose veçmas, ka trajtuar gjithsej rreth 148 praktika, për të cilat është kthyer përgjigje orientuese, janë arshivuar, pasi nuk plotësonin kriteret e pranueshmërisë të kërkesë/ankesave, apo janë përcjellë pranë ILD.
Së fundi, në kapitullin e dytë, ky raport merret me Komisionin për Mbrojtjen e Prokurorëve. Në veprimtarinë e Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve rezulton se gjatë vitit 2020 janë realizuar 42 mbledhje përgatitore dhe në përfundim të tyre janë marrë 21 vendime për mbrojtjen e prokurorëve të ndryshëm apo drejtuesve të prokurorive, të cilët kanë kërkuar mbrojtje. Gjithashtu, janë trajtuar me dhënien e mbrojtjes së veçantë fizike 12 prokurorë.
Në kapitullin e tretë, raporti merret me veprimtarinë administrative dhe financiare të Këshillit. Fillimisht, raporti trajton rekrutimin e nëpunësve civilë në KLP dhe plotësimin e strukturës së miratuar nga Kuvendi. Më tej, i kushtohet vëmendje analizës financiare dhe çështjeve mbi buxhetin, ku përfshihet: realizimi i buxhetit sipas zërave, fondet buxhetore të miratuara etj.
Për periudhën Janar- Dhjetor 2020 ka përfunduar procedura e rekrutimit të 12 nëpunësve civilë, si dhe janë kryer 4 rekrutime jashtë shërbimit civil, prej të cilëve 1 punonjës administrativ dhe 3 funksionarë politikë në kabinetin e Kryetarit të KLP.
Aktualisht në KLP rezultojnë 5 vende vakante në shërbimin civil dhe 1 vend vakant për punonjës administrativ.
Gjithashtu, KLP, me Vendimet 66-71, datë 24.02.2020, “Për komandimin e magjistratit”, ka komanduar 6 (gjashtë) prokurorë në pozicionin e Këshilltarit në KLP, për një periudhë 3-vjeçare.
Sa i përket veprimtarisë financiare, në këtë kapitull flitet për buxhetin e miratuar dhe atë faktik, për vitin 2020, si dhe mënyra e realizimit të tij sipas zërave. Lidhur me investimet, vemë re se 97% e fondit buxhetor është realizuar.
Së fundi, në këtë kapitull trajtohen edhe proceset gjyqësore ku KLP ka qenë palë në gjykim, duke specifikuar rast pas rasti tipologjinë e secilës çështje.
Kapitulli i katërt merret me marrëdhëniet ndërinstitucionale të KLP, ku përfshihet Shkolla e Magjistraturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Prokuroria e Përgjithshme, institucionet e rivlerësimit dhe Kuvendin.
Sa i përket marrëdhënies me Shkollën e Magjistraturës, bashkëpunimi i KLP me Shkollën e Magjistraturës, gjatë vitit 2020, ka qenë intensiv dhe dinamik. Raporti ndalet ndër të tjera, në disa aspekte si: betimi i prokurorëve të rinj pas diplomimit nga Shkolla e Magjistraturës, miratimi i numrit të kandidatëve për t’u pranuar në programin fillestar të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021, fillimi i procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2020 -2021, miratimi i listës së prokurorëve pjesëmarrës në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës dhe hartimi i kurrikulave për kancelarët e prokurorive.
Lidhur me marrëdhënien me ministritë e sipërpërmendura, raporti ndalet tek kontributi i KLP për dokumente të rëndësishme e strategjike si: Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë, Pyetësori i Komisionit Europian i Këshillit të Europës për Eficiencën e Drejtësisë (CEPEJ), rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO), takimin e njëmbëdhjetë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit dhe takimin e dymbëdhjetë të Nënkomitetit Bashkimi Europian-Shqipëri “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, Rekomandimet e Progres Raportit për Shqipërinë (2019) etj.
Gjithashtu, sipas nenit 169, të Ligjit për Qeverisjen, KLP bashkëpunon me Ministrin e Drejtësisë për të siguruar përputhjen e planeve strategjike dhe buxhetore të sistemit të prokurorisë, të miratuara nga Këshilli me politikat shtetërore dhe strategjinë sektoriale të sektorit të drejtësisë.
Në këtë kontekst, me vendimin nr. 317, datë 29.12.2020, “Për miratimin e Planit Strategjik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (2021-2024)”, KLP miratoi Planin Strategjik, pasi mori edhe mendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo e fundit u shpreh se programet dhe aktivitetet shoqëruese të këtij plani, janë në përputhje me qëllimet e politikave të koncept dokumentit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për periudhën 2021-2025.
Lidhur me marrëdhënien me Prokurorinë e Përgjithshme, raporti ndalet në problematikën e hasur për shkak të mosorganizimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, e cila për shkaqe që lidhen drejtpërdrejtë me pandeminë, nuk u thirr nga Prokurori i Përgjithshëm gjatë vitit 2020. Gjithashtu, në raport flitet edhe për takimet e zhvilluara nga Kryetari dhe anëtarët e KLP, me prokuroritë pranë gjykatave: Gjirokastër, Sarandë, Lushnje, Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Pogradec, Pukë, Kurbin dhe Krujë, në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit midis këtyre organeve.
Sa i përket marrëdhënies me institucionet e rivlerësimit, raporti thekson dy prej aspekteve më të rëndësishme, sikurse janë: ndihma në rivlerësimin kalimtar të prokurorëve ndaj KPK dhe KPA, sikurse hartimi i raporteve për vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve në proces rivlerësimi.
KLP ka miratuar dhe dorëzuar pranë KPK për periudhën janar –dhjetor 2020, gjithsej 49 raporte për vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve, së bashku me materialet që kanë shërbyer për përgatitjen e tyre.
KLP në bashkëpunim me KPK, ka marrë pjesë në hedhjen e shortit për përzgjedhjen e pesë dosjeve hetimore dhe tërheqjen e akteve dhe që lidhen me këto dosje, për 112 prokurorë, subjekte rivlerësimi.
Së fundi, raporti i kushton vëmendje marrëdhënies me Kuvendin. Më datë 26.05.2020, Kuvendi miratoi Rezolutën “Për Raportin Vjetor të KLP për vitin 2019”. Lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të lëna në këtë rezolutë, raporti shprehet se KLP ka dhënë informacione sipas kërkesës së Kuvendit, disa herë gjatë vitit 2020.
Kapitulli i pestë i këtij raporti i kushtohet transparencës institucionale, në raport me publikun dhe median.
Gjatë vitit 2020, pandemia e COVID-19 ka mbërthyer gjithë botën, përfshin dhe Shqipërinë, duke ndryshuar jetën e miliona njerëzve. Kufizimet e lëvizjes, distancimi social dhe rregullat e karantinës, të cilat janë armët kryesore në luftën ndaj pandemisë, kanë ndryshuar përditshmërinë e njerëzve dhe kanë pasur impakt drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve publike, por megjithatë mbledhjet plenare të KLP kanë qenë të aksesueshme, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare, brenda 24 orëve nga data e zhvillimit të tyre, duke ruajtur besueshmërinë dhe transparencën në vendimmarrje ndaj publikut.
Gjithashtu, në muajin Shtator 2020, KLP në bashkëpunim me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes hartoi Strategjinë e Komunikimit e KLP, një dokument i hartuar posaçërisht për zhvillimin dhe përmirësimin e komunikimit me publikut dhe atë institucional dhe ndër institucional.
Në zbatim të Ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit”, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore, KLP, gjatë vitit 2020, ka garantuar akses të plotë të informacionit për publikun, pa pagesë dhe të aksesueshëm nga të gjithë.
Dy kapitujt e fundit i dedikohen konkluzioneve të nxjerra për këtë periudhë raportimi, si dhe prioriteteve afat-shkurtra dhe afat-mesme të KLP.
Në pjesën e parë të kapitullit 6, i është dedikuar një hapësirë e rëndësishme nivelit të zbatimit të Rezolutës “Për Raportin Vjetor të KLP për vitin 2019”. Në këtë pjesë të raportit janë analizuar kërkesat e shtruara nga ana e Kuvendit për të cilat KLP do të duhet të merrte masa për t’i realizuar përgjatë vitit 2020. Në këtë kontekst, KLP është angazhuar dhe ka shprehur vullnetin e plotë për përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit dhe do të vijojë punën në përmirësimin e atyre rekomandimeve që ende nuk janë përmbushur plotësisht.
Gjithashtu, në raport janë nxjerrë edhe konkluzione të tjera përtej kërkesave të Kuvendit, duke u ndalur në arritjet kryesore të KLP për vitin 2020, sikurse: komandimi i prokurorëve si inspektorë në ILD, verifikimi i pasurisë dhe figurës, i katër kancelarëve në detyrë, rastet e ardhura për procedim disiplinor të prokurorëve nga ana e ILD, verifikimi i kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, ose kandidatëve që e përfundojnë këtë program dhe duhet të emërohen e caktohen në detyrë si prokuror, hartimi i akteve nënligjore që ndikojnë drejtpërdrejtë në karrierën e prokurorëve, emërimi i drejtuesit të BKH, administrimi i Regjistrit dhe Dosjes Personale të prokurorëve etj.
Ndër prioritetet e punës për vitin 2021 për KLP, janë hartimi dhe miratimi i rregullores që rregullon ngritjen në detyrë të prokurorëve, duke qenë se procedura e ngritjes në detyrë për drejtuesit tashmë është rregulluar dhe ka nisur gara në fund të vitit 2020 për këtë proces.
Një prioritet tjetër është përfundimi i procedurës së ngritjes në detyrë të drejtuesve dhe emërimi i tyre, sidomos në ato prokurori ku deri në vitin 2020, vakancat janë plotësuar nëpërmjet caktimit të përkohshëm.
Gjithashtu, përgjatë vitit 2021, KLP ka në fokus të veçantë procedurën e transferimit të prokurorëve nëpërmjet lëvizjes paralele, e cila po ashtu, ka filluar në fund të vitit 2020, por që pritet të përfundojë vitin pasues.
Njëkohësisht KLP e shikon si nevojë emergjente, miratimin e rregullores për vlerësimin e punës së prokurorëve, e cila është një rregullore komplekse, që shoqërohet nga disa anekse, të cilët bëjnë të mundur aplikimin e saktë të procedurës së vlerësimit në tërësi, duke përfshirë vetëvevlerësimin e prokurorit, vlerësimin e drejtuesit të prokurorisë ku është emëruar, procedurën që ndjek KLP për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorit, standardet për matjen e treguesve ligjorë/statistikorë etj.
Një prioritet tjetër është vijimi i procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të tjerë të Prokurorisë së Posaçme (për të përmbushur numrin prej 15 prokurorësh të miratuar me vendim të KLP).
Sa i përket prioriteve në 3 vitet në vijim, me vendimin nr. 317, datë 29.12.2020, KLP ka miratuar “Planin Strategjik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (2021-2024)”.
Ai është i organizuar në 5 programe të cilat trajtojnë çështjet si: 1. Administrimi i karrierës së prokurorëve bazuar në performancën profesionale të secilit; 2. Profesionalizmi dhe integriteti të garantuar nëpërmjet vlerësimeve periodike, standardeve etike dhe profesionale, këshillimit dhe monitorimit të trajnimit vazhdues; 3. Përgjegjshmëria e prokurorëve e garantuar përmes sistemit disiplinor; 4. Garantimi i pavarësisë së prokurorëve, si dhe; 5. Kontributi dhe opinionet për ndryshimin e legjislacionit. /abcnews.al/