Kryetari i PD Lulzim Basha zhvilloi një bisedë online me z.Manfred Weber, kryetar i grupit të Partisë Popullore Europiane.
Basha theksoi se shqetësimet kryesore të shqiptarëve sot janë gjendja e rëndë ekonomike, kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe emigrimi.
Sipas Bashës, zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve është e lidhur ngushtë me integrimin europian të vendit: “Qytetarët janë të zhgënjyer pas 8 viteve të qeverisë Rama, 8 vite ngecjeje në vendnumëro në procesin e Integrimit Europian dhe duan ndryshim. Por shqiptarët sot e dinë se ndryshimi do të vijë vetëm kur Shqipëria të bëjë progres në procesin e integrimit në BE. Fatkeqësisht në këto 8 vite, vendi nuk ka bërë progres por madje ka shënuar hapa mbrapa sa i përket nivelit të korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe shtetit ligjor. Prandaj sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë parakushte për të ecur përpara në procesin e integrimit, parakushte për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe për të rritur mirëqenien e tyre”.
Bash ka shtuar se PD po përpiqet të kthejë vëmendjen tek çështjet si situata ekonomike, papunësia e lartë dhe emigrimi kryesisht i të rinjve dhe të arsimuarve.
Manfred Weber theksoi se “Është gjithmonë mirë të dëgjojmë se reformat e përcaktuara nga BE janë garanci për të ardhmen europiane për Shqipërinë.”
Ai u interesua për standardet dhe infrastrukturën zgjedhore, më konkretisht mbi situatën me mediat, me aktivitetet e fushatës, dhe në përgjithësi me aksesin në infrastrukturë për aktivitetin politik të PD.
Ai theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë jetike për të ardhmen europiane dhe integrimin europian të Shqipërisë.E.L/abcnews.al/